Gjergj Vyshka 28.12.2016 13:45
Tirana në basketboll për meshkuj, jo vetëm që është kryesuese kampionatit, por dhe rekordmene e tij. Të mërkurën, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ka regjistruar rekordin e sezonit, teksa ka fituar në 89 pikë diferencë ndaj Flamurtarit, 136-47.
Ndërkohë surprizë mund të cilësohet Teuta, e cila ka arritur ta mund Tiranën në Durrës, 76-73, e po kështu ka bërë dhe me Vllazninë të mërkurën e kaluar në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, 81-73.
E mundimshme ka qenë fitorja e Kamza Basket ndaj Ardhmërisë Basket, 79-74, të enjten. Por ajo që vlen të thuhet është dhe kryesimi i bindshëm i Partizanit në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, që njihet si Kategoria e Parë.
Në 8 ndeshje, të kuqtë kanë 8 fitore duke qenë i sigurt në kthimin në Superligë për sezonin 2016-2017. E Tirana, që sivjet është dhe fituese e Kupës së Shqipërisë, ka dhe një aksion tjetër atë të kalimit në turin e dytë të Ligës Ballkanike.
Atje ku, në 8 sfidat e deritanishme që ka luajtur në grupin B, ka korrur 3 fitore dhe 5 humbje. “Sulmi” i fundit për bardheblutë mbetet ndeshja e 17 janarit 2017 në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet ndaj maqedonasve të Karposh Sokolit.