AlbanianSport.com 20.08.2015 18:55
ASNN – Tifozët korçarë kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë jo vetëm në Elbasan Arena, por edhe në qytetin e tyre. Në pamundësi për ta ndjekur në stadium ndeshjen Skënderbeu-Dinamo e Zagrebit, ata kanë mbushur lokalet e qytetit verilindor, për të përkrahur skuadrën e tyre të zemrës. Ndeshja Skënderbeu-Dinamo e Zagrebit, e vlefshme për fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, është ndjekur me interes jo vetëm nga tifozët në stadiumin “Elbasan Arena” por edhe në Korçë.
Në pamundësi për të gjetur bileta për ta ndjekur në stadium, tifozët korçarë kanë mbushur lokalet e qytetit për të parë drejtpërsëdrejti ndeshjen historike të skuadrës së tyre të zemrës. Pas golit të parë, të shënuar nga kapiteni Blendi Shkëmbi, që ekzekutoi me mjeshtëri një goditje këndi, duke e kaluar Skënderbeun në epërsi, tifozët korçarë kanë qenë në delir. Ata kanë shpresuar që loja e mirë e skuadrës së tyre të vazhdonte kështu edhe në pjesën e dytë.
Kjo me synimin që Skënderbeu të vazhdonte rrugën e rekordeve në Ligën e Kampioneve, për historinë e futbollit shqiptar. Por në 45 minutat e dyta, loja e Dinamos së Zagrebit bëhet më efikase sidomos pas aktivizimit të talentit Çoriç duke krijuar një sulm të frikshëm. Në minutën e 66-të, miqtë shënojnë golin e barazimit me anë të Soudanit. Ndërsa të gjithë tifozët do të ishin të kënaqur me barazimin 1-1, Pivariç shënon golin e dytë pas një goditje nga 25 metra, duke poshtur portierin Shehi.