AlbanianSport.com 30.11.2014 08:35
ASNN – Lushnja bën goditjen e radhës në Korçë përballë Sopotit. Librazhdasit këtë radhë vinin si pritës në qytetin juglindor, por duket se kjo fushë nuk u ka sjellë fat. Librazhdasit luajnë keq në pjesën e parë të takimit, aq sa pësojnë edhe dy gola, ndërsa nuk arrijnë ta godasin qoftë dhe një herë të vetme portën e mbrojtur nga Spaho. Pjesën e dytë, trajneri Stojku bën lëvizjet e veta dhe kjo i shpërblen në lojë duke dominuar. Por nuk arrijnë të përmbysin rezultatin përballë lushnjarëve, që vuajnë së tepërmi në minutat e fundit të takimit. Në pjesën e parë, lushnjarët janë më mirë të vendosur në fushë përballë kundërshtarëve të tyre, që vuajnë sidomos në sulmet e shpejta të miqve.
Deri në 15 minutat e para të takimit loja është e balancuar, por pas dy minutash vjen edhe zhbllokimi i takimit. Branica merr një top të saktë nga krahu i djathtë dhe godet me kokë, por sfera përplaset në shtyllë dhe për fat të mirë kthehet në këmbët e lojtarit, që për herë të dytë me portën bosh nuk gabon dhe çon lushnjarët në epërsi 1-0. Minutat kalojnë qetësisht dhe në të 31-n është sërish Branica, që del përballë portierit, por Shtrepi është më i shpejtë dhe e zotëron topin. Pas pesë minutash vjen edhe gabimi fatal për vendasit librazhdas. Pasaktësi në prapavijën e librazhdasve, që gabojnë si amatorë.
Portieri mundohet të largojë topin, por e çon gabimisht në këmbët e Ruços, që në një distancë prej 30 metrash gjuan dhe shënon. Dhe fundi i pjesës së parë fikson shifrat 2-0 për Lushnjën. Në pjesën e dytë, Stojku ndërron disa lojtarë dhe duket se ekipi fillon të reagojë më mirë teksa dominon të gjithë fraksionin e dytë të lojës. Sinjalin e parë të rizgjimit e jep Cake, që në minutën e 61-të provon me një goditje të fortë nga rreth 20 metra, por Spaho në pozicion grushton duke larguar rrezikun. Ekipi i Sopotit është shumë këmbëngulës në këtë pjesë të dytë dhe Iljazi, një nga më aktivët, shfaqet rrezikshëm në zonën mike.
Në minutën e 66-të, Kastrati që provon nga 25 metra, por Spaho tregohet i vëmendshëm. Reagimi i Sopotit do të vinte në minutën e 88-të kur Hajdari me përvojë, nga një goditje dënimi, shënon një super gol. Pas shënimit të golit librazhdasit hidhen në sulm, por nuk arrijën të barazojnë rezultatin dhe në përfundim 2-1 për Lushnjën, që gjen kryesimin në grupin e Jugut.
Sopoti – Lushnja 1-2
Shënues: Hajdari 88’/Branica 17’, Ruço 34’
Sopoti: Shtrepi, Duro (Lamaj 46’), Bella, Ballkoçi, Kullolli (Cake 46’), Kelmendi, Lezi, Kastrati, Karaj (Hajdari 65’), Polisi, Iljazi. Trajner: G. Stojku
Lushnja: Spaho, Sula, Ndoni, Gjyla, Ruço, Bakiasi, Topi, Dervishi, Gjoni (Allkanjari 86’), Çela, Branica (Sulo 90’). Trajner: A. Bano
Gjyqtarë: O. Sokoli, B. Mesi, R. Shaba (Tiranë)