AlbanianSport.com 13.10.2014 22:55
ASNN – Ndryshe nga sezonet e kaluara, Korabi i sivjetëm, që është pjesëmarrës në Grupin e Veriut të Kategorisë së Dytë, e ka nisur mbarë kampionatin. Dibranët, edhe duke marrë dy fitore radhazi në dy javë të kampionatit, kanë gjashtë pikë dhe kryesojnë së bashku me Erzenin. Nisjen e mirë të sezonit e pohon për gazetat sportive të ditës edhe trajneri i Korabit, Erblin Laçi, i cili ka kërkuar nga skuadra e tij që të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi kampionati është i gjatë dhe nuk përfundon me dy ndeshje.
“Ne nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, – ka deklaruar ai. – Me të vërtetë kemi fituar dy ndeshje, por këtë javë kemi një ndeshje të vështirë jashtë, teksa do të jemi përballë Luzit 2008. Dhe duke përfituar nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares këtë javë kemi punuar më intensivisht. Skuadra vazhdon stërvitjet e saj të rregullta, ndërsa kërkon marrjen e një rezultati pozitiv, që në fakt nuk mund të jetë i pamundur. Të gjithë futbollistët tanë gëzojnë një formë të mirë fizike.”
“Dhe për gjithçka për skuadrën, unë dua të falënderoj Bashkinë, e cila ka kontribuar prej vitesh, – ka theksuar trajneri dibran. – Por jo vetëm kaq. Më duhet të falënderoj dhe Fehmi Mziun, i cili e mbështet financiarisht skuadrën. Dhe këtë sezon, bashkë me stafin drejtues, është bërë e mundur dhe ardhja e futbollistëve cilësor të tillë si Livani në portë, Bardhi e Karaj në mbrojtje, Xhafa në mesfushë. Në sulm duhet përmendur dyshja Merdini-Brahasani.”
“Por ajo që është e mirë për skuadrën është dhe stoli i rezervave, atje ku lojtarët janë të gatshëm që në çdo moment të ndihmojnë ekipin. Dhe të gjithë bashkë do të synojmë ngjitjen historike të Korabit në Kategorinë e Parë”, – ka përfunduar trajneri i Korabit, Erblin Laçi.