AlbanianSport.com 05.03.2017 11:05
ASNN – Duket se dibranëve u ka sjell fat stadiumi i Shkodrës dhe preferojnë të luajnë përsëri në këtë impiant. Edhe pse në një stadium të boshatisur nga prania e tifozëve, ndeshja Korabi-Tirana e luajtur pasditen e së shtunës në “Loro Boriçi” është shoqëruar me faza interesante.
Dhe, kjo për meritë të dibranëve, të cilët duke luajtur si pritës në Shkodër për shkak se stadiumi i tyre nuk është akoma gati për liçensim kanë mbajtur nën presion të vazhdueshëm bardheblutë e Tiranës. Dy golat e kësaj ndeshje u shënuan brenda 5 minutave.
Në të 40-n, shënoi Kaja për Korabin, ndërsa në fundin e pjesës së parë barazoi Edeh. Një barazim që ndoshta nuk i bën shumë punë Korabit, por të paktën ndikon në moralin e skuadrës, në ndryshim nga Tirana, që përveç pikëve vazhdon të humbasë dhe moralin.
Në vijim të kampionatit, edhe pse shpresat janë krejt të pakta për mbijetese, dibranët premtojnë se do vijojnë të luajnë ndershëm me të gjithë kundërshtarët, ndërsa për Tiranën, ky barazim në Shkodër, ndërlikon akoma më shumë situatën tek bardheblutë, tashmë duke u konsideruar edhe ato rrezik serioz për mbijetesë.