AlbanianSport.com 22.12.2014 08:35
ASNN – Kampion i dimrit për Kategorinë e Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, është shpallur Korabi i Peshkopisë. Në ndeshjen e fundit të fazës së parë, skuadra dibrane ka mundur Erzenin 1-0, duke e lënë 4 pikë prapa në renditje skuadrën shijakase të Erzenit.
Korabi i Peshkopise, pas fitores 1-0 me Erzenin, me golin e Oli Merdinit, është shpallur “kampione e dimrit” për grupin e Veriut në Kategorinë e Dytë. Skuadra dibrane udhëheq renditjen me 4 pikë më shumë se Erzeni i vendit të dytë, duke hedhur kështu një vend të sigurt drejt ngjitjes në Kategorinë e Parë.
Skuadra dibrane ka vendosur dy rekorde, i pari për numrin e spektatoreve të pranishëm në ndeshje, pasi mbi 6,000 tifozë ishin në shkallët e stadiumit, dhe i dyti shpalljen si “kampione dimri” me 11 fitore dhe vetëm një barazim në 13 javë. Këto janë shifra që flasin vetë.
Pas një gjumi letargjik mbi 20-vjeçar, futbolli dibran është zgjuar. Një vlerësim për të gjithë ata që kanë dhënë sadopak kontribut në këtë sukses, që nga presidenti Fehmi Mëziu, trajnerët e palodhur, Erblin Laçi, Telman Përleka dhe Shpëtim Toska dhe drejtuesi i klubit, Sokol Muho.
Ky sukses do të jetë edhe kartolina e urimit për vitin 2015 për skuadrën e futbollit Korabi.