AlbanianSport.com 15.03.2016 11:10
ASNN – Nga stoli i të kaltërve të Italisë, tek stoli i bluve të kryeqytetit britanik, Londrës. Ky duket se do te jetë edhe udhëtimi i Antonio Kontes, i cili ka zyrtarizuar largimin nga drejtimi i përfaqësueses italiane të futbollit pas Evropianit “Francë 2016”. Konte është përfolur gjithnjë e më tepër në lidhje me vendin bosh në “Stemford Bridxh”, si trajner i Çellsit.
Ajo që pëshpëritej deri më tani si një hipotezë, është bërë sot zyrtare, pasi Antonio Konte do të largohet nga drejtimi i përfaqësueses italiane të futbollit pas Evropianit “Francë 2016”. Një gjë e tillë është pohuar sot nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, i cili ka deklaruar se trajneri i ka shprehur se ndjen nevojën që të jetë çdo ditë në fushën e blertë, për të stërvitur çdo ditë një skuadër.
Kjo deklaratë e kreut të organizmit që qeveris futbollin italian, nënkupton se Konte po e lë stolin e përfaqësueses “axurre” për të marrë drejtimin e një klubi futbollit. Konte është përfolur gjithnjë e më tepër në lidhje me vendin bosh në “Stemford Bridxh”, si trajner i Çellsit dhe lajmi se ai nuk do të jetë më në krye të Italisë pas “Francë 2016”, thjesht e rrit më tepër mundësinë e kalimit të tij në futbollin anglez.
46-vjeçari u emërua trajner i Italisë në gusht të 2014-ës, vetëm 35 ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen si trajner i Juventusit, të cilin e kishte udhëhequr drejt 3 titujve “kampion” radhazi. Trajneri i Bolonjës dhe ish-trajneri i përfaqësueses, Roberto Donadoni, dhe trajneri i Leister Sitit, Klaudio Ranieri, janë përmendur si kandidatura të mundshme për ta zëvendësuar Konten.