Gjergj Vyshka 23.02.2017 10:25
Është bërë e modës në basketbollin shqiptar që të gjitha masat ndëshkuese të Komisionit të Disiplinës, me kryetar Fation Mati dhe me anëtarë Arben Kaçurri, Sajmir Shatku dhe Besmir Iljazi, të zbuten nga Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit. Kështu ka ndodhur dhe me ndeshjen e të rinjve. Teuta-Tirana, e cila është ndërprerë për shkak të sherrit masiv të të dyja skuadrave.
Dhe nëse Disiplina pat ndëshkuar Tiranën me 20.000 lekë gjobë të rinj për paraqitjen në fushën e lojës me uniformë jo sipas kërkesave të rregullores, Teutën me humbje të ndeshjes në tavolinë, dy ndeshje pa spektatorë dhe 200.000 lekë gjobë të rinj për mungesë të masave organizative, lojtarët A. Boriçi, G. Hoxha, K. Ismailaj të Tiranës, E. Plaku, E. Shehi dhe R. Sadiku të Teutës me 6 muaj pezullim dhe 50.000 lekë gjobë të rinj, si dhe K. Pashajn e Tiranës, me 1 vit dhe 100.000 lekë gjobë të rinj për inicim dhe realizim të sulmit fizik, tjetër mendim ka pasur Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare.
I mbledhur nën drejtimin e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, dhe me praninë e anëtarëve Edera Alibegaj, Ilir Taflaj, Vaso Shaka, Edmond Biçoku, Dritan Mema kanë vendosur që Tirana dhe Teuta të dënohen me 20.000 lekë gjobë të rinj. Po kështu basketbollistëve Boriçi, Hoxha, Ismailaj të Tiranës dhe Plaku, Shehi e Sadiku të Teutës u hiqet dënimi 6 muaj dhe vetëm gjobiten me 50.000 lekë të rinj.
Për lojtarin K. Pashaj të Tiranës dënimi është i vlefshëm deri më 30 qershor 2017, kurse gjoba prej 100.000 lekësh të rinj mbetet. Ajo që ka mbetur nga vendimi i disiplinës, kur të gjitha të tjerat tashmë kanë rënë, janë humbja në “tavolinë” e Teutës dhe dy ndeshje pa spektatorë.