AlbanianSport.com 23/02/2024 21:15
ASNN – Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore në muajin qershor ndaj Lihtenshtejnit. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se ka arritur akordin me Federatën e Lihtenshtejnit që ky takim të zhvillohet më datë 3 qershor 2024 në Austri. Orari dhe stadiumi do të përcaktohen në ditët në vijim.
Këto sfida miqësore janë në kuadër të përgatitjeve për Evropianin “Gjermani 2024”. FSHF-ja fillimisht ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore, që do të luhen në muajin mars, fillimisht ndaj Kilit, më datë 22 në Stadiumin “Enio Tardini”, dhe, më pas, ndaj Suedisë, më datë 25, në Stadiumin “Friends Arena” të Stokholmit.
Në ditët në vazhdim FSHF do të njoftojë edhe për biletat e ndeshjeve miqësore, duke nisur me dy sfidat e muajit marsit ndaj Kilit dhe Suedisë. Përveç Lihtenshtejnit, FSHF po punon për të zyrtarizuar edhe një miqësore tjetër për muajin qershor, që me shumë gjasa do të jetë jo më vonë se data 8 qershor.
Sa i përket takimit me Lihtenshtejnin, kjo do të jetë hera e katërt që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën Shqipëria i ka fituar të treja sfidat ndaj Lihtenshtejnit me rezultatin e njëjtë 2-0. Njëra ndeshje ka qenë miqësore dhe dy të tjera të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Botëror.
Siç dihet tashmë, Shqipëria e trajnerit Silvinjo do ta nisë rrugëtimin e saj në Kampionatin Evropian të futbollit “Gjermani 2024” më 15 qershor me përballjen e parë, atë ndaj Italisë. Sfida do të luhet duke nisur nga ora 21:00, në stadiumin “BVB Stadion” të Borusias së Dortmundit.
Katër ditë më pas, më datë 19 qershor, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Evropianit, atë kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në Stadiumin “Volksparkstadion” të Hamburgut. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës, më 24 qershor, në stadiumin “Dyseldorf Arena”, duke nisur nga ora 21:00.