Adriatik Balla 18.08.2015 18:25
Shqipëria do të luajë dy ndeshje vendimtare në shtator ndaj Danimarkës dhe Portugalisë të vlefshme për grupin I të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Në këto ndeshje skuadra përfaqësuese e Shqipërisë synon të marrë rezultate pozitive, për të ruajtur ecurinë e mirë të saj në këto eliminatore dhe për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit direkt.
Ndeshje më e rëndësishme është ajo ndaj Danimarkës, të cilën e luajmë në fushë të huaj, më 4 shtator 2015, dhe është një duel për vendin e dytë, pozicion që siguron kualifikim direkt, kurse më 7 shtator Shqipëria pret në “Elbasan Arena” përfaqësuesen e Portugalisë, e cila mban aktualisht kreun e grupit tonë me 12 pikë, dy më shumë se ekipi i De Biazit.
Por në këtë ndeshje, kuqezinjtë synojnë maksimumin, pasi e luajnë në prani të tifozëve kuqezi dhe një lajm i mirë për De Biazin në prag të këtyre sfidave ka mbërritur tashmë. Bëhet fjalë për mesfushorin e njohur portugez të Monakos, Zhoao Mutinjo, i cili është dëmtuar dhe nuk do të jetë i gatshëm për trajnerin e Portugalisë, Kosta. Një mungesë e tillë e favorizon ndjeshëm skuadrën kuqezi, pasi Mutinjo është një nga lojtarët kryesorë të përfaqësueses portugeze.
Përfaqësuesja e Portugalisë, kundërshtarja e kuqezinjve në sfidën eliminatore të 7 shtatorit në “Elbasan Arena”, humbet një nga elementët e saj më të rëndësishëm, mesfushorin Zhao Mutinjo. Futbollisti që aktivizohet me Monakon në ligën e parë franceze pësoi një dëmtim serioz në sfidën me Lilën, që përfundoi në barazim 0-0. Pas një ore lojë portugezi u detyrua të dilte nga fusha.
Ndërsa ekzaminimet e fundit konfirmojnë se lojtarit i duhen nga 4 deri 6 javë për t’u rikthyer në dispozicion të trajnerit Zhardim. Kjo do të thotë se 28-vjeçari, përveçse dy në ndeshjet e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve me Valencian si dhe në takimin me Paris SG-në në kampionatin francez, i programuar për t’u zhvilluar më 30 gusht, nuk do të jetë as kundër kuqezinjve në eliminatoren e Evropianit.
Ky është një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare, pasi Mutinjo mbetet një nga pikat më të forta të formacionit luzitan, që aktualisht kryeson Grupin I të Eliminatoreve në kuotën e 12 pikëve, dy më shumë se Danimarka dhe Shqipëria që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë me nga 10 pikë. Por, para përballjes me Portugalinë në “Elbasan Arena”, Shqipëria do të kërkojë të marrë rezultat pozitiv në fushë të huaj me Danimarkën.