Adriatik Balla 21.10.2015 13:10
ASNN – Në debatin e madh midis zyrtarëve të FSHF-së, me në krye presidentin Armando Duka dhe trajnerit Xhovani De Biazi, janë përfshirë edhe ish-futbollistë e trajnerë, që kanë mendimet e tyre në favor ose në disfavor të njërës apo tjetrës palë. I kontaktuar nga e përditshmja shqiptare, gazeta “SOT”, ish-sulmuesi i njohur i Partizanit dhe Kombëtares, Ylli Shehu, mendon se suksesi i veshur tërësisht për De Biazin nuk qëndron dhe se federata ka një buxhet të limituar dhe nga ana financiare nuk është në gjendje të përballojë kërkesën në rritje të trajnerit, gjithmonë nëse ai kërkon shuma që janë të papërballueshme për financat e FSHF-së.
Shehu beson se këto para mund të përdoren shumë më mirë duke ngritur terrene të reja sportive apo duke rikonstruktuar impiantet, ndërsa kualifikimin në Evropian nuk e lidh vetëm me meritën e De Biazit, por njëherësh me punën e të gjithëve. “FSHF ka një buxhet të kufizuar, – ka thënë ish-futbollisti i të kuqve kryeqytetas. – Me një buxhet të tillë modest afrimi i një trajneri të huaj ka qenë i shtrënguar. Trajnerët shqiptarë kanë pasur një pagë modeste të papërfillshme krahasuar me shifrën që marrin trajnerët e huaj. Nëse flitet për shifra marramendëse, tërhiqem dhe nuk e dua trajnerin e huaj, se Shqipëria ka probleme më tepër në sport se sa afrimin e një trajneri nga jashtë.”
“Shumë mirë ato para mund të përdoren në rikonstruksionin e stadiumeve apo ndërtimin e fushave të reja,- ka theksuar Shehu. – Në lidhje me debatin midis tyre, unë nuk di të them më shumë se sa ata vetë, pasi palët e njohin njëri-tjetrin. Praktikisht ne nuk i dimë marrëdhëniet midis tyre dhe mund të bëjmë thjesht një gjykim nga jashtë. Sa i takon anës teknike, unë propozoj të jemi realistë në vlerësim, pasi, nëse nuk do të ishin pikët e marra ndaj Serbisë, nuk do të ishim në Evropian. Është e vërtetë që De Biazi punoi me afrimin dhe seleksionimin dhe nën drejtimin e tij erdhën shumë lojtarë, por ai kurrë nuk pati një formacion stabël.
“Madje eksperimentoi shumë, e bënte këtë në çdo ndeshje e në shumë raste nuk dha garanci, – ka theksuar ish-futbollisti. – Në çdo ndeshje 4-5 ndërrime dhe kjo nuk la shije të mirë.” Duke komentuar raportin e tensionuar së fundmi midis Partizanit dhe FSHF-së për orarin e ndeshjes me Skënderbeun, ish-sulmuesi i kuq theksoi se kjo është një kërkesë e drejtë, pasi bazohet në interesin e klubit. “Mendoj se Partizani dëshiron zhvillimin e ndeshjes të dielën, pasi ka më shumë tifozë në dispozicion, ata janë lojtari i 12-të, tha ai. – Me pak fjalë Partizani do një stadium plot.”
“Por kjo kushtëzon dhe anën financiare, pasi përfitimet nga biletat janë të mëdha dhe kjo është diçka e ndjeshme. Gjithsesi, ecuria e mirë e Partizanit në këtë sezon nuk mund të lidhet me orarin e ndeshjes, por me ruajtjen e grupit dhe me rritjen e ambicieve për titull, gjë që është evidente”, – ka përfunduar ish-sulmuesi i njohur i Partizanit dhe Kombëtares, Ylli Shehu.