AlbanianSport.com 26.02.2016 10:40
ASNN – Një ofertë intrigon Xhovani De Biazin, ndërsa trajneri ka pohuar për “Italpress”: “Nuk e zbuloj skuadrën, por është në Evropë”. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Xhovani De Biazi ka ngritur sërish dyshime në lidhje me të ardhmen e tij në stolin kuqezi. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Italpress”, trajneri ka bërë të ditur se ka një ofertë intriguese nga një skuadër evropiane.
Nuk e ka vendosur ende nëse do të vazhdojë të drejtojë kombëtaren e Shqipërisë edhe pas “Euro 2016”-ës. Sidoqoftë, nëse Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të vazhdojë t’i besojë Xhovani De Biazit, atëherë duhet të shpejtojë. Trajneri vazhdon të ketë oferta nga skuadra të tjera dhe njëra prej tyre po e tundon. Konfirmimi vjen nga vetë De Biazi gjatë një interviste të gjatë dhënë për agjencinë “Italpress”.
Trajneri 60-vjeçar ka përjashtuar mundësinë e rikthimit në kampionatin italian, por ka zbuluar interesin e një tjetër skuadre evropiane. “As nuk e mendoj, pasi mund të bësh futboll edhe jashtë Serisë A, – ka thënë ai për median në fjalë. – Madje pendohem që nuk u largova më parë. Në të vërtetë më ka ardhur një ofertë nga Italia, por është një tjetër që më intrigon më shumë.”
“Por nuk dua ta zbuloj cila është, mund të them vetëm që është në Evropë”, – ka shtuar ai. Deri në fund të “Euro 2016”-s ka ende kohë dhe, për momentin, Xhovani de Biazi mendon për debutimin e kombëtares së Shqipërisë në finalet e Francës në verë. “Për ne kalimi i grupit do të ishte si një fitore”, – ka pohuar 60-vjeçari italian me pasaportë shqiptare, duke folur për “Italpress”.
“Do t’i vendoset emri im stadiumit të ri nëse e arrijmë këtë? – ka reaguar De Biazi ndaj një pyetjeje. – Të mos e ekzagjerojmë tani. Por sido që të shkojë do të vendosin një pllakë me emrat e të gjithëve që e arritëm këtë.” Xhovani De Biazi ka bërë parashikimin e tij edhe për shanset e skuadrës së tij në “Euro 2016”, duke e vendosur Italinë mes favoriteve të turneut.