AlbanianSport.com 08.06.2016 08:50
ASNN – Frederik Veseli nuk dëshiron polemika pas përzgjedhjes nga De Biazi, Ai u ngacmua gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp për polemikat që ka sjellë përzgjedhja e tij nga trajneri De Biazi dhe lënia jashtë e mbrojtësit tjetër, Gjimshiti. Përfshirja e tij në listën prej 23 lojtarëve të cilët do të jenë në Europian dhe lënia jashtë e Gjimshitit, ngjalli shumë debate, por kjo nuk ka bërë që 23-vjeçari, i cili çuditërisht mban numrin 24, të shpërqendrohet.
“Të them të drejtën nuk i kam ndjekur shumë debatet sepse nuk kam qenë i interesuar, – ka thënë ai duke folur në bazën stërvitore të kuqezinjve në Francë. – Unë do të vazhdoj të jap më të mirën në stërvitje dhe të bind trajnerin se jam gati për Evropianin. Jam shumë i përqendruar në përgatitje dhe çdo gjë tjetër jashtë futbollit nuk më intereson.” Ai pranoi se ishte ndjerë i shqetësuar, pasi mosgrumbullimi në kohë me kombëtaren në Austri mund ta penalizonte.
Por Veseli u shpreh i lumtur që De Biazi e ka vlerësuar dhe i ka dhënë mundësi që të përfshihet në 23-she. Në fakt, Frederik Veseli e udhëhoqi përfaqësuesen e Nën-17-vjeçarëve të Zvicrës drejt titullit “kampione e botës”, ka thënë se nuk ndjehet aspak zviceran dhe se përballja më “helvetët” nuk do të sjell ndonjë emocion, përveç kënaqësisë që do të takojë shokët me të cilët dikur ka qenë në skuadër. “Unë kam lindur, jetoj dhe do vdes si shqiptar”, – ka thënë ai.
“Jam shumë krenar dhe i lumtur që do të vesh këtë fanellë. Jam shumë profesionist dhe, nëse do të më jepet mundësia, do të jap maksimumin”, – përfundoi Veseli.