AlbanianSport.com 24.03.2017 08:45
ASNN – “Shqipëria, në Palermo për të bërë historinë.” Kështu është shprehur trajneri i Italisë, Xhianpiero Ventura në konferencën për shtyp të dhënë të premten. Ndërsa kapiteni i të kaltërve Xhanluixhi Bufon, me Shqipërinë, luan ndeshjen e 1,000-të si futbollist profesionist. Do të jetë një stadium i mbushur plot, ai që e pret Italinë në sfidën vendimtare kundër Shqipërisë.
I duhen 3 pikët për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit në fazën finale të Botërorit “Rusi 2018”. Këtë e di mirë trajneri i Italisë, Ventura. “Pres një Shqipëri që do të bëjë një lojë të mbyllur për të vepruar me kundërsulm, – ka deklaruar ai. – Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Në stadium pres të jenë një numër të madh shqiptarësh të cilët do të krijojnë presion.”
“Uroj që në fushë të shfaqet një Itali e mirë, sepse Shqipëria do të kërkojë të bëjë historinë në “Renzo Barbera”, – ka vijuar trajneri “axurr”. – Është hera e parë që ata ndeshen me Italinë në një ndeshje zyrtare dhe, nëse do të arrijnë një rezultat të mirë, atëherë do të hyjnë në histori. Për këtë kemi respekt të madh për ta. Ndaj ne duhet të japim në fushë 100%”.
Ndërsa kapiteni i të kaltërve, Bufon, i druhet disi ekipit shqiptar teksa shprehet: “Është një skuadër që i ka vënë në vështirësi kundërshtarët ndaj na duhet të luajmë me shumë kujdes. E them me bindje se është një kundërshtar për t’u patur frikë. Për atë çka dhanë edhe në fazën finale të Evropianit francez, meritojnë respekt. Progresi që ka bërë kjo skuadër dhe të tjera si ajo, e bëjnë futbollin më të bukur.”