AlbanianSport.com 21/03/2021 14:25
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, ka shpallur listën me 28 lojtarë që janë ftuar për 3 ndeshjet e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Kuqezinjtë do të luajnë në fushë të huaj ndaj Andorrës, më 25 mars, ndërsa më 28 mars, përfaqësuesja kuqezi do të presë Anglinë në Tiranë. Takimi i tretë do të luhet më 31 mars ndaj San Marinos, sërish në fushë huaj.
Duke shpjeguar zgjedhjet e tij, trajneri italian ka folur për risitë e tij në këtë grumbullim të parë për vitin 2021, teksa shpreson që lojtarët të vijnë në gjendje optimale në këto sfida. Gjithashtu, Reja kërkon përqendrim maksimal nga kombëtarja para Andorrës, që ai e cilëson si duelin më të rëndësishëm dhe kërkon nga skuadra që të japë maksimumin.
Kështu, Shqipëria është gati për ndeshjet eliminatore të Botërorit “Katari 2022” dhe ditën e dielë, Federata Shqiptar e Futbollit (FSHF) ka publikuar listën e futbollistëve që do të jenë nën urdhrat e trajnerit Reja për 3 ndeshjet e fundmuajit mars. Në listën e publikuar nga FSHF-ja bien në sy disa risi, të tilla si Nedim Bajrami dhe Mario Mitaj, të cilët ftohen për herë të parë në kombëtare.
Ka edhe rikthime, si ai i Arlind Ajetit, i cili po luan rregullisht në Serinë B me Rexhianën. Mungon Kastriot Dermaku, i cili vjen pas një dëmtimi dhe kohët e fundit nuk është aktivizuar. Nga Superiorja është vetëm një lojtar, mbrojtësi Erjon Hoxhallari, ndërsa jashtë ka mbetur portieri Alban Hoxha, vendin e të cilit e ka zënë Gentian Selmani.
Mungesë tjetër në listë edhe ajo e Lindon Selahit, i cili këtë sezon i ka pasur minutat me pikatore. Gjithashtu, trajneri i Shqipërisë u shpreh që në këto sfida “do të mund të tregojmë sesa është rritur Kombëtarja kuqezi dhe se tani përgjegjësia është më e madhe, pasi jemi ngjitur një kategori më lart në Ligën e Kombeve dhe pritshmëritë janë më të mëdha”.
LISTA E SHQIPËRISË PËR NDESHJET ME
ANDORRËN, ANGLINË DHE SAN MARINON
PORTIERË: Thomas Strakosha, Etrit Berisha, Gentian Selmani
MBROJTËS: Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Frederik Veseli, Albi Doka, Mario Mitaj, Erion Hoxhallari, Arlind Ajeti, Hysen Memolla
MESFUSHORË: Keidi Bare, Klaus Gjasula, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Enis Çokaj, Nedim Bajrami, Ledian Memushaj, Ermir Lenjani, Odise Roshi
SULMUES: Sokol Cikalleshi, Armando Broja, Florian Kamberi, Rei Manaj, Myrto Uzuni.