AlbanianSport.com 07/09/2021 18:55
ASNN – Trajneri i San Marinos flet para ndeshjes me Kombëtaren, lëvdon punën e bërë nga homologu dhe bashkatdhetari Edoardo Reja. Trajneri i përfaqësueses së San Marinos, Franko Varela, ka folur me superlativa për Kombëtaren kuqezi në prag të përballjes së të mërkurës në Stadiumin “Elbasan Arena”. Për këtë arsye, ai shpreson të shmangë një tjetër humbje të thellë si ajo 1-7 përballë Polonisë. “Kam parë ndeshjen e para disa ditëve midis Polonisë dhe Shqipërisë dhe ajo ishte një nga to ndeshjet që të lënë një shije të hidhur në gojë, sepse janë episodet që vendosin fatin e saj”, – ka thënë ai fillimisht.
“Por unë kam parë një skuadër të madhe dhe të bukur të Shqipërisë dhe prandaj për ne ndeshja e së mërkurës me Shqipërinë është e të njëjtit nivel si ajo kundër Polonisë, me shpresën se të mërkurën do të korrigjojmë të paktën disa nga gjërat që bëmë gabim ndaj polakëve”, – ka shtuar trajneri i San Marinos. Edhe për futbollistin Alesando Golinuçi, ndeshja e kthimit me Shqipërinë do të jetë mjaft e vështirë. “Pres një ndeshje shumë të ndërlikuar, sepse, për më tepër Shqipëria na njeh mirë tashmë, teksa na ka mundur 2-0, por ka vuajtur për 70 minuta për të shënuar përballë nesh”, – ka thënë ai.
“Përveç kësaj, 3 ndeshje brenda pak ditësh për me janë shumë, sidomos në një periudhë si shtatori, – ka vijuar Golinuçi. – Por, prapë nuk kemi alibi, sepse grupi është prej kohësh bashkë dhe duhet të bëjmë maksimumin, edhe pse na pret një skuadër shumë e fortë. San Marino ka pësuar 5 humbje në po aq ndeshje në këto Eliminatore, duke shënuar vetëm një gol dhe duke pësuar plot 19 dhe trajneri Varela nuk ka iluzione për realitetin. “E kam përsëritur shpesh se ky është një grup tmerrësisht i vështirë për ne, – ka thënë ai. – Nuk e teproj kur them se e vetmja shpresë për ne për të marrë një rezultat pozitiv janë përballjet me Andorrën.”
“Sepse me të tjerat nuk bëhet fjalë, sepse janë një nivel krejt tjetër krahasuar me ne”, – ka pohuar trajneri i San Marinos, Franko Varela, që në mbyllje thekson: “Me të tjerat, është thjesht për të nxjerrë në pah punën e mirë që po bëjmë për të ardhmen.” Takimi Shqipëri-San Marino do të luhet të mërkurën në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:45.