AlbanianSport.com 27/03/2019 19:55
ASNN – Duka sqaron çështjen e stolit kuqezi: “Brenda prillit është zgjidhur, nuk përjashtohet të jetë shqiptar”. Në një prononcim për mediat, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sqaroi çështjen në ka të bëjë me trajnerin e ekipit kombëtar. Edhe pse ka prej disa ditësh që është larguar Kristian Panuçi, kreu i FSHF-së ende nuk e ka ndarë mendjen për teknikun e ri. Ai pranoi për herë të parë të mërkurën se po shqyrton disa kandidatura dhe se ka pasur interesime të shumta.
Madje ai pranoi se ka biseduar me trajnerë shqiptarë e të huaj, por do të vendoste përfundimisht në kohën e duhur. “S’mund ta mohoj se kam biseduar me trajnerë shqiptarë dhe të huaj dhe gjatë këtyre ditëve do të konkretizojmë ndonjë gjë më shumë, – u shpreh Duka, dukshëm entuziast nga interesimet e shumë trajnerëve që duan të drejtojnë përfaqësuesen kuqezi. – Reja është trajner i mirë, ashtu si të tjerët, por nuk kam bërë asnjë bisedë konkrete. Nuk duhet të nxitohemi.”
“Kemi kohë për të vendosur, brenda muajit prill dhe të përgatitemi për ndeshjet e qershorit, – ka vijuar ai. – Ajo që i jep më shumë epërsi një kandidati shqiptar është fakti që mund të njohë më mirë mentalitetin dhe mënyrën e komunikimit dhe mjedisin. Kur themi trajner shqiptar që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë saj, ekzistojnë mundësitë pse jo.” Ka pasur mjaft emra që janë lakuar në shtyp si kandidatura të mundshme, përfshi dhe ish-trajnerin Xhovani De Biazi, gjë që është pranuar hapur edhe nga Duka.
Por ai rikonfirmoi dhe një herë se nuk do të nxitohej për të vendosur në mënyrë përfundimtare. Duka pranoi që është një kandidat edhe ish-mbrojtës kuqezi, Besnik Hasi. “Po shohim mundësinë e përzgjedhjes rrotull këtyre emrave, – vijoi kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend, duke folur mbi këtë çështje, – pasi nuk ka të tjerë. Pse jo dhe Ervin Bulku, pse jo dhe Sulejman Mema. Nuk e di nëse ishte kundërshtari modest.”
“Por përgatitja në një kohë të shkurtër nga Bulku dhe Mema, për mua ka qenë maksimal”, – ka shtuar ai. Përfaqësuesja e Shqipërisë humbi ndeshjen e parë eliminatore të “Euro 2020”-ës ndaj Turqisë, 0-2 në Shkodër, një humbje që solli edhe shkarkimin e trajnerit italian Kristian Panuçi. Në duelin e radhës, atë ndaj Andorrës, skuadrën e drejtoi ndihmësi i Panuçit, Ervin Bulku, i cili mori përkohësisht drejtimin e skuadrës, i ndihmuar nga një prej trajnerëve të njohur kryeqytetas, Sulejman Mema.
Duke iu kthyer qëndrimeve të Dukës, mund të besohet se kreu i FSHF-së nuk do të nxitohet për të vendosur rreth emrit të ri. Me siguri që ai do t’i shqyrtojë me kujdes kandidaturat para se të marrë vendimin final.