AlbanianSport.com 13/03/2024 23:00
ASNN – Suedi “angleze” ndaj shqipërisë. Trajneri Tomason zbulon listën prej 26 lojtarësh për miqësoren me kuqezinjtë. Trajneri i Suedisë, Jon Dahl Tomason ka publikuar listën e lojtarëve për dy miqësoret e radhës ato kundër Portugalisë (më 21 mars) dhe Shqipërisë (më 25 mars). 47-vjeçari ka zyrtarizuar emrat e 26 futbollistëve për takimet ndaj luzitanëve dhe kuqezinjve të Silvinjos. Miqësoret e marsit po marrin trajtë për kombëtaren kuqezi dhe Suedia ka shpallur edhe listën e lojtarëve të grumbulluar për miqësoren me Shqipërinë.
Trajneri danez i Suedisë, 47-vjeçari Jon Dahl Tomason ka thirrur 26 futbollistë për dy miqësoret e radhës, ato kundër Portugalisë (më 21 mars) dhe Shqipërisë (më 25 mars 2024). Dueli Suedi-Shqipëri është programuar për të hënën e 25 marsit në “Friends Arena” të Stokholmit, duke nisur nga ora 19:00 me orën e Tiranës. Dhe lista e përfaqësueses skandinave mbizotërohet nga lojtarë që luajnë në Premier Ligën Angleze. Bie në sy fakti se 14 futbollistë i përkasin dy reparteve, mesfushës dhe sulmit, ndërsa janë thirrur edhe 9 mbrojtës dhe 3 portierë.
Mediat suedeze e kanë veçuar këtë fakt si një shenjë që trajneri Tomason, vetë një ish-sulmuyes, do të adoptojë një stil loje sulmuese, çka pritet ta detyrojë edhe trajnerin e Kombëtares kuqezi, Silvinjo, për të patur mundësi të provojë edhe kapacitetin aktual të Shqipërisë në mbrojtje. Baza e përfaqësueses suedez aktivizohet në Premier Ligë, aty ku spikat Lindelofi nga Mançester Junajtid, Elanga prej Notingem Foresti apo Kulusevski i Totenhemit dhe Isaku nga Njukasëlli. Për ish-sulmuesin danez të Milanit, do jetë ndeshja e dytë në stolin e Suedisë ajo ndaj Shqipërisë, pasi më herët do të përballet në një miqësore me Portugalinë.