AlbanianSport.com 14/11/2018 18:55
ASNN – Alban Hoxha ka ndjerë shqetësime në seancën e sotme stërvitore dhe është detyruar të tërhiqet nga ekipi përfaqësues që ndodhet i grumbulluar në Durrës. Në fakt, Hoxha kishte prej disa ditësh shqetësime dhe kishte deklaruar në media se pavarësisht se ishte futur në fushë me Partizanin, nuk kishte qenë në formën e tij më të mirë dhe ndjente dhimbje.
Sot ai vendosi të tërhiqet nga grumbullimi dhe të kthehet pranë klubit ku do të vazhdojë fazën e rikuperimit, nën kujdesin e mjekëve të Partizanit. Kujtojmë se Hoxha ishte i vetmi futbollist nga Kategoria Superiore në grumbullimin e skuadrës përfaqësuese. Të gjithë të tjerët vijnë nga kampionatet e huaja.
Për të plotësuar vendin e mbetur bosh nga largimi i Hoxhës, stafi i Kombëtares ka ftuar me urgjencë portierin e ri Elhan Kastrati, i cili është pjesë e klubit të Peskarës në Serinë B të Italisë. Ai tani do të jetë portieri i 3-të i ekipit përfaqësues. Që në krye të herës, Panuçi nuk ka preferuar lojtarë nga kampionati shqiptar, ata nuk e bindin trajnerin italian.