AlbanianSport.com 19.11.2016 22:55
ASNN – Grupimi më i madh, “Tifozat Kuq e Zi” duken se janë më të vendosur se kurrë: ata do t’i qëndrojnë pas vendimit për të mos e mbështetur Kombëtaren Shqiptare për një periudhë kohe, edhe pse sot kishte një përpjekje për ta zbutur situatën, pasi pati një takim ndërmjet zyrtarëve të organizmit që qeveris futbollin në Shqipëri dhe atyre të tifozëve zyrtarë të Kombëtares.
“Tifozat Kuq e Zi njoftojnë anëtarët se sot, me kërkesë të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka pasur një takim. Në takimin e mbajtur në Prishtinë, iu sqarua edhe një herë zyrtarëve të FSHF-së se vendimi i marrë për bojkotim të ndeshjeve të Kombëtares në Shqipëri është i prerë”, -shkruhet në grupin zyrtar të “Tifozëve Kuq e Zi”. Kështu, mësohet se “Tifozët Kuq e Zi” dhe zyrtarë të FSHF-së kanë zhvilluar një takim në Prishtinë, me kërkesë të këtyre të fundit.
Arsyeja është vendimi i grupimit më të madh që mbështet Kombëtaren për bojkotimin e sfidave të kuqezinjve në Shqipëri. Megjithatë, duket se edhe pas këtij takimi, “Tifozët Kuq e Zi” nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe do të bojkotojnë sfidat që Shqipëria do të luajë si në fushën e saj. Ky njoftim është bërë publik nga vetë grupim i tifozëve.