AlbanianSport.com 26/05/2019 19:20
ASNN – “Dronët” po përdoren gjerësisht për administrimin e stërvitjeve të shumë skuadrave elitare në Evropë. Nuk janë vetëm pajisjet me GPS që u vendosen lojtarëve në trup për të parë shpejtësinë dhe kapacitetin e tyre vrapues, por edhe “droni” që “spiunon” lëvizjet dhe kontrollon disiplinimin taktik të grupit. Edi Reja ka grumbulluar ekipin kombëtar në Durrës, me lojtarë të mbledhur paraprakisht nga kampionati shqiptar dhe përfaqësuesja e Nën-21-vjecarëve.
Por, edhe me surpriza rreth listës sepse për herë të parë pas shumë kohësh i kushtohet rëndësi kampionatit shqiptar, por askush nuk jep garanci që këta të grumbulluar do të jenë pjesë e formacionit që do të vijojë stërvitjen në Austri. Nga ditët e para të këtij grumbullimi, mund të shpalosim me siguri disa karakteristika të strategjisë së trajnerit Edi Reja. Së pari, duke pasur përvojë të gjatë në kampionatin italian, ai po përpiqet ta shndërrojë përfaqësuesen kuqezi në një makineri solide në lojën mbrojtëse.
Dhe këtë e ka pranuar hapur. “Katenacio” italiane duket se i përshtatet më së miri ekipit të Shqipërisë, prandaj Reja i është kthyer “dorëshkrimeve” të De Biazit. Ish-trajneri konsolidoi përfaqësuesen kuqezi në Evropianin e Francës 3 vjet më parë dhe Reja synon të përsërisë të njëjtën skemë. Duket se kjo strategji e tij ka gjetur mirëkuptim në FSHF dhe tek pjesëtarë e grupit, pasi Shqipëria nuk ka sulmues cilësorë e të nivelit të lartë që të përballojë me lojë të hapur kundërshtarët e saj.
Për këtë arsye, mbrojtje-kundërsulm, mbetet alternative e vetme dhe Reja e ka të qartë se vetëm kështu mund t’i dilet në këtë rrugëtim të shkurtër të tij (kujtojmë kontratën deri në nëntor) dhe me objektiva të vështirë. Stërvitja me “dron” nuk është risi në Evropë, por është risi për grupin e Edi Rejës. Dikush që ka menduar se potenciali që ka shfaqur në Superiore është i mjaftueshëm në Kombëtare, gabon rëndë, sepse “spiuni” i ajrit nuk lë vend për vetëkënaqësi.
Ky sport kërkon potencë, kualitet dhe disiplinim taktik, gjë që kampionati shqiptar nuk i ka në parametrat maksimale. Ai që sfidon dhe ia del, sezonin e ardhshëm luan në një klub më cilësor jashtë Shqipërisë. Dhe kjo historia me “dron” i ka future lojtarët në mendime të thella. Përpara janë dy ndeshje delikate. Është vizita e vështirë e Rejkjavikut, me Islandën, e cila ka pasur vitet e fundit një ngjitje magjike në rang ndërkombëtar, duke marrë pjesë në Evropian dhe Botëror.
Një kundërshtar shumë i vështirë, por jo i pamundur të kalohet me sukses. Më pas vjen dueli me Moldavinë ku fitorja është domosdoshmëri. Reja e ka të qartë se vazhdimësia e këtij grupi për Shqipërinë varet nga rezultati i këtyre dy ndeshjeve dhe jo rastësisht i nisi stërvitjet tri javë para. Kthimi tek “formulat” e De Biazit, është një tjetër dëshmi se eksperimentet kanë marrë fund me largimin e Panuçit. Dhe trajneri veteran, por i ri në krye të kombëtares kuqezi, e ka kuptuar këtë.
Prandaj, cilido qoftë rezultati i dy ndeshjeve të ardhshme, të paktën një gjë garantohet që tani: stili i lojës do të jetë ai i duhuri për një përfaqësuese me cilësi jo të lartë.