AlbanianSport.com 07.10.2015 20:55
ASNN – Kombëtarja zhvilloi sonte, në orën 18:30, stërvitjen e radhës para takimit me Serbinë. Kuqezinjtë nuk do të udhëtojnë drejt Elbasanit për përgatitjet e fundit, por do të qëndrojnë në Durrës. Trajneri De Biazi nuk do të ndryshojë shumë nga formacioni i ndeshjeve të fundit. Edhe në konferencën për shtyp, trajneri tha se formacionin e kishte qartësuar, por pa zbuluar emra. De Biazi tha se shqiptarët futen në fushë për fitore, pasi kjo ndeshje mund të jetë përcaktuese për kualifikimin direkt në Evropian.
Italiani është shprehur se e ka në kokë formacionin, por gjithsesi dilemat nuk mungojnë për mesfushën ku është thirrur edhe Alban Meha. Rikthimi i Elseid Hysajt me shumë gjasë do të ulë në stol Berat Gjimshitin që megjithëse nuk luajti në pozicionin e tij natyral bëri një debutim të mirë në ndeshjet me Danimarkën dhe Portugalinë. Qendrën e mbrojtjes De Biasi do t’ia besojë dyshes Cana-Ajeti. Kapiteni i kombëtares është stërvitur rregullisht dhe pas dëmtimit në kampionat.
Loja e kuqezinjve pritet të jetë ajo e zakonshmja me qarkullimin e topit, në mesfushë por është përgatitur edhe për një luftë të fortë sportive me kundërshtarin. Gjatë seancave stërvitore lojtarët janë shfaqur të qetë dhe të përqendruar në përvetësimin e skemave të udhëzuara nga trajneri De Biazi dhe ndihmësit e tij. Ndaj Serbisë nuk mund të zhvillohet një lojë me krosime të larta në zonë, për shkak të shtatlartësisë së mbrojtësve serbë.