Adriatik Balla 10.10.2015 11:40
ASNN – Kombëtarja jonë nuk po tregon pjekuri për t’u quajtur skuadër e madhe dhe nuk e bëri as ndeshjen e radhës një gjë të tillë, duke pësuar një humbje të rëndë në një ndeshje historike ndaj Serbisë. Takimi tregoi edhe një herë tjetër se kuqezinjtë nuk përballojnë presionin deri në fund dhe i humbasin ndeshjet pikërisht në fund. Kjo gjë ka ndodhur vazhdimisht, pasi Shqipëria i nis mjaft mirë eliminatoret, por i mbyll shumë keq.
Megjithëse një përparim i madh është bërë, pasi është siguruar “play-off”-i, sërish kuqezinjtë nuk bindin për të qenë një skuadër e madhe në Europian. Pësimi i golave amatoreskë në minutën e fundit të kohës shtesë, duke mos mbajtur rezultatin, tregon dobësi të karakterit të grupit dhe papjekuri për të përballuar me sukses ndeshjet e mëdha. Me pak fjalë Kombëtarja nuk i fiton dot ndeshjet vendimtare.
Kjo është një “sëmundje” e vjetër e Kombëtares, që nga vitet 80-të me trajnerin Shyqyri Rreli e deri më sot me Xhovani De Biazin. Çastet vendimtare nuk i fitojmë dot, kështu ndodhi dhe në takimin përballë Serbisë, e cila, pavarësisht se nuk shkon gjëkundi, arriti misionin e saj të na prishë punë, të na bëjë të vështirë kualifikimin.