AlbanianSport.com 30/08/2021 17:55
ASNN – Konfirmohen 4 titullarë të dëmtuar dhe një me “Covid-19”, në dyshim edhe një i 6-të. Polonia do të përbalet me Shqipërinë më 2 shtator 2021, në atë që është e para e 3 sfidave eliminatore të grupit I të Botërorit “Katar 2022”, që do të luhen në 10-ditëshin e parë të muajit të ardhshëm. Dhe trajneri Paulo Souza ka marrë lajme jo të mirë nga kontingjenti i lojtarëve të tij, pasi 5 prej tyre nuk do të jenë të gatshëm për këto 3 sfida dhe ai ka thërritur dy lojtarë të rinj.
David Kovnacki, Kasper Kozuovski, Krzisztof Piątek dhe Sebastian Szymański nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin për shkak të dëmtimeve. Ndërkohë, është mësuar se Mateush Klih, i cili ka rezultuar pozitiv në testet për virusin “Covid-19”, do të mungojë në kampin stërvitor të përfaqësueses polake për ndeshjet me Shqipërinë, Anglinë dhe San Marinon. Në vend të tyre, trajneri Paulo Souza ka vendosur të thërrasë lojtarin e krahut të Leh Poznańit, Jakub Kamiński.
Por edhe futbollistin e Salcburgut, Kamil Piątkovski, ndërsa Piotr Zieliński është grumbulluar me Poloninë për këto 3 ndeshje, por aktivizimi i tij është në dyshim, për shkak të një dëmtimi në kofshë, të pësuar me skuadrën e Napolit në javën e parë të Serisë A të kampionatit italian të futbollit. Pas ndeshjes në fushën e vet me Kombëtaren kuqezi, më 2 shtator, Polonia viziton 3 ditë më pas San Marinon, për t’u ndeshur me përfaqësuesen vendase, dhe kthehet në shtëpi për të pritur Anglinë.
Hëpërhë, skuadra e Souzës mban vendin e 4-t në renditje, me 4 pikë, pas një fitoreje, një barazimi dhe një humbjeje të marrë në 3 ndeshjet e para.