AlbanianSport.com 14.11.2014 13:45
ASNN – Ndërkohë që Shqipëria përballet me Francën, sonte në mbrëmje do të zbresin në fushën e blertë, edhe kundërshtarët e grupit tonë eliminator, për të luajtur ballafaqimet e tyre zyrtare në kuadër të “Euro 2016”-s. Kështu, Portugalia do të presë Armeninë, ndërsa Serbia do të luajë pa tifozë, pas ndëshkimit të UEFA-s, danezët e Morten Olsenit.
Hëpërhë, situata në Grupin I është e tillë, me dy kryesues, në kuotë pikësh të barabarta, nga 4 të tilla: Shqipëria dhe Danimarka. Kuqezinjtë tanë i kanë këto pikë si produkt i dy ndeshjeve të luajtura, ndërkohë që e treta u ndërpre në Beograd më 14 tetor, si pasojë e dhunës dhe racizmit. UEFA vendosi t’ia japë fitoren në tavolinë Serbisë, megjithatë pala shqiptare ka reklamuar në Komisionin e Apelit, që do të mblidhet më 2 dhjetor.
Edhe Serbia ka bërë të njëjtën gjë, sepse i janë hequr 3 pikë nga klasifikimi. Në këtë mënyrë, shanset teorike për të mos dalë duarbosh përfundimisht nga sfida me serbët ekzistojnë deri në betejën e fundit juridike, KAS, sikurse ka paralajmëruar FSHF-ja. Armenia dhe Serbia kanë nga 1 pikë për momentin, ndërsa Portugalia është e treta, me 3 pikë.