AlbanianSport.com 12/11/2018 11:20
ASNN – Mediat skoceze njoftojnë se 3 lojtarë të formacionit bazë janë dëmtuar këtë fundjavë dhe nuk do të jenë të gatshëm për dy javët në vijim, pra ata do të mungojë në duelin e 17 nëntorit me Shqipërinë në Shkodër. Ky është një lajm i mirë për Kombëtaren kuqezi, që synon vetëm fitoren ndaj Skocisë. Shqipëria do të presë më 17 nëntor 2018 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës përfaqësuesen e Skocisë, në një duel të rëndësishëm në kuadër të grupit të parë në Ligën C, të Ligës së Kombeve.
Për kuqezinjtë, ky është dueli i fundit dhe duhet patjetër fitorja, duke shpresuar në një kombinacion rezultati në ndeshjen e rivalëve, pra Skocisë dhe Izraelit që i mundëson përfaqësueses shqiptare që të paktën të mos e mbyllë në vend të fundit. Por një lajm i keq për skocezët dhe i mirë për kuqezinjtë vjen në këtë moment. Mediat skoceze njoftojnë se 3 lojtarë të formacionit bazë janë dëmtuar këtë fundjavë dhe nuk do të jenë të gatshëm për dy javët në vijim.
Pra ata do të mungojë në duelin e 17 nëntorit në Shkodër. Informacionet e para flasin se mbrojtësit Çarli Mulgrju, Stefën O’Donell, si dhe Kevin MekDonalld kanë marrë dëmtime serioze dhe nuk bëhen për të luajtur për dy javët në vijim. Dy lojtarët e parë i përkasin qendrës së mbrojtjes dhe janë lojtarë të rëndësishëm të formacionit. Trajneri Aleks MekLish ndodhet në pozita të vështira, pasi pak ditë më parë ai mori lajmin e dëmtimit të dy prej sulmuesve kryesorë, Neismith dhe Grifiths.
Me pak fjalë, Skocia do të vijë në Shkodër e gjymtuar, ku do të mungojnë 5 lojtarë të formacionit bazë si pasojë e dëmtimeve dhe nëse për skocezët është lajm i keq, për kuqezinjtë dhe trajnerin Kristian Panuçi ky është lajm i mirë që ia lehtëson punën për të arritur objektivin në këtë ndeshje të rëndësishme edhe për vetë të ardhmen e trajnerit italian të Kombëtares.