AlbanianSport.com 13/01/2024 18:35
ASNN – Trajneri i ekipit përfaqësues të Shqipërisë, Silvio Mendesh Kampos Zhúnjor, shkurt Silvinjo, ka dhënë një intervistë për median braziliane “OGOL” ku ka komentuar suksesin e arritur nga Kombëtarja në edicionin e fundit eliminator të Kampionatit Evropian, vendin e parë në Grupin E dhe kualifikimin për në fazën finale të “Gjermani 2024”. Trajneri brazilian tha se është bërë një punë e madhe përmes databazës së të dhënave në Federatën Shqiptare të Futbollit, nga ku u zbulua edhe sulmuesi, Jasir Asani i cili spikati me golat e tij të bukur dhe vendimtar në sfidat eliminatore.
“Sekreti është te interpretimi i të dhënave, – tha fillimisht trajneri i Kombëtares kuqezi në intervistën e tij për median në fjalë. – Databaza e të dhënave është e mrekullueshme. Teknologjia na ndihmon shumë. Të gjithë ne që punojmë në futboll duhet të jemi të përgatitur për të interpretuar të dhënat dhe gjërat janë bërë më të thjeshta. Nga vjen, si vjen, kush është kundërshtari, çfarë ndodhi, si ndodhi, filtrojmë të dhënat dhe pastaj nisim punën në fushë.” Më tej, trajneri kuqezi shpjegoi edhe dallimet mes punës së përditshme në një klub dhe në ekip përfaqësues.
“Kjo të bën edhe më të çmendur (të presësh ndeshjet e Kombëtares), – ka pohuar 49-vjeçari në vijim të intervistës, duke zbuluar edhe një aspekt të veçantë të punës së tij. – Janë dy punë të ndryshme. Futbolli është padyshim i njëjtë, por menaxhimi është i ndryshëm. Imagjinoni të keni një ndeshje shumë të përgatitur në detaje dhe të duhet të presësh edhe një muaj për të nisur punën me futbollistët. Kështu që do të duhet të kërkoni mënyra të tjera të për të menaxhuar situatën dhe madje të futeni në më shumë hollësi.”
“Është e vërtetë që në një klub keni imazhe të asaj çfarë dëshironi, stërvitjes dhe gabimeve gjatë një seance stërvitore, më pas ndeshja ku lojtari bëri apo jo gabime, – ka vijuar ai. – Pra, procesi në një klub është më i shkurtër, ndërsa në një ekip kombëtar ti gjithmonë thua: “Nuk kam kohë”. Kështu që e vetmja mënyrë është të punosh edhe më shumë me video-analizë.” Më tej, analiza e Silvinjos për “OGOL” vijon me mënyrën e punës së futbollistëve në një ekip përfaqësues dhe thotë se duhet të pasur kujdes për të shmangur gabimet.
“Të paktën gjysma e lojtarëve i nënshtrohet një procesi kontrolli nëpërmjet videove. Duhet të jesh shumë i saktë dhe të kuptosh se çfarë thuhet: “E di që skuadra jote luan në këtë mënyrë, trajneri juaj ju kërkon këto gjëra”. Prandaj ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të shmangur gabimet. Ne tregojmë kujdes që të mos hyjmë në metodologjinë e punëve të tjera. Dhe futbollisti duhet të kuptojë që ju e dini se çfarë ndodh me të në anën tjetër. Është komplekse, është punë e vështirë, por kjo është mënyra se si e gjen veten në një ekip përfaqësues”, – përfundoi trajneri i Kombëtares kuqezi, Silvinjo.