AlbanianSport.com 23/01/2024 23:40
ASNN – “Gjetëm një Federatë shumë të strukturuar e me kushte të mira për të punuar”, Silvinjo: Në Evropian do të testojmë forcën tonë. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvio Mendesh Kampos Zhúnjor ka zhvilluar një intervistë mjaft interesante për median portugeze “ZeroZero” duke u rrëfyer për gjithçka, rrugëtimi i tij me ekipin kuqezi, jeta në Tiranë, puna me stafin dhe lojtarët, kushtet e ofruara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe mendimin e tij për dy futbollistët shqiptarë që luajnë në Portugali, Adrian Bajrami dhe Enea Mihaj.
Trajneri i Kombëtares kuqezi, evidentoi zhvillimin e FSHF-së dhe punën e madhe kërkimore që bëhet për gjetjen e talenteve të reja, ndërsa komentoi edhe shanset e Shqipërisë në Evropian. Më tej, ai tha se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në Kampionatin Evropian, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe kualifikimi në Botëror. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në 4 pjesë dhe kjo është pjesa e 4-t dhe e fundit e saj.
– Çfarë mund të bëjë Shqipëria në Kampionatin Evropian?
– E dimë që grupi është shumë i vështirë. Ne duhet të testojmë forcën tonë. Në Federatën shqiptare janë dy situata shumë të qarta për ne: e para është Evropiani dhe ne duhet të zhvillojmë një Evropian të ndershëm, të fortë, me karakteristikat e ekipit tonë që nuk mund t’i ndryshojmë, idetë tona janë të panegociueshme. Pjesa e dytë përfshin përpjekjen për ta bërë Shqipërinë të konkurrojë në më shumë Kampionate Evropiane dhe të fillojë të mendojë për të qenë në një Botëror. Të dyja pikat janë të vështira, por ne jemi në një linjë të përkryer me Federatën.
– Tifozët në Shqipëri, si mund ta menaxhojnë këtë entuziazëm, ju jeni në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë?
– Ne kemi filluar të punojmë për këtë edhe para përfundimit të kualifikimit. Është e vërtetë, ka një atmosferë euforie të madhe. Kur ndeshja kundër Çekisë në shtëpi përfundoi 3-0 , nuk më zinte gjumi. ‘Si do ta menaxhojmë gjithë këtë?’ Njerëzit na telefonuan, pyetën se çfarë po ndodhte, thanë se nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë dhe se qyteti i Tiranës po lëshonte fishekzjarre. Gjithçka ishte shumë mirë. Duhet të vendosim synime të arritshme, nuk mund të themi se jemi në këtë grup dhe është e detyrueshme të kalojmë më tej. Ne duam vazhdimësi, të jemi sërish në Kampionatin Europian, por është e rëndësishme të kontrollohet kjo eufori. Tifozi nuk ka kufi dhe ka të drejtë të ëndërrojë për Kombëtaren.