AlbanianSport.com 23/01/2024 20:10
ASNN – “Gjetëm një Federatë shumë të strukturuar e me kushte të mira për të punuar”, Silvinjo: Në Evropian do të testojmë forcën tonë. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvio Mendesh Kampos Zhúnjor ka zhvilluar një intervistë mjaft interesante për median portugeze “ZeroZero” duke u rrëfyer për gjithçka, rrugëtimi i tij me ekipin kuqezi, jeta në Tiranë, puna me stafin dhe lojtarët, kushtet e ofruara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe mendimin e tij për dy futbollistët shqiptarë që luajnë në Portugali, Adrian Bajrami dhe Enea Mihaj.
Trajneri i Kombëtares kuqezi, evidentoi zhvillimin e FSHF-së dhe punën e madhe kërkimore që bëhet për gjetjen e talenteve të reja, ndërsa komentoi edhe shanset e Shqipërisë në Evropian. Më tej, ai tha se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në Kampionatin Evropian, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe kualifikimi në Botëror. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në 4 pjesë dhe kjo është pjesa e dytë e saj.
– Grupi i futbollistëve është i një cilësie të mirë?
– E kuptuam shpejt që kishim një grup të mirë futbollistësh, pasi pothuajse të gjithë luajnë në kampionate shumë të rëndësishme. Në Serinë A, në Bundesligë, në Premier Ligë, në La Ligën spanjolle, në Portugali, të gjithë këto kampionate kanë lojtarë shqiptarë.
– Si punoni për të rekrutuar lojtarët që janë me origjinë shqiptare, por që kanë lindur jashtë apo që janë larguar nga vendi? Kishte nevojë për t’i bindur ata të përfaqësonin Shqipërinë?
– Ishte një punë shumë e ndryshme nga çdo gjë që kisha bërë më parë. Historia e Shqipërisë është shumë e pasur. Janë tre milionë shqiptarë që jetojnë aty dhe 15 milionë të tjerë jetojnë në territore të tjera. Kemi futbollistë me kombësi italiane, zvicerane apo gjermane që janë me origjinë shqiptare. Federata po e kryen shumë mirë punën e evidentimit të talenteve dhe nuk është punë dytësore. Kemi pasur 8 ndeshje eliminatore, disa tashmë janë thirrur dhe të tjerë mund të vijnë në të ardhmen.
– Të jetosh në Portugali, në Evropë, a të ka ndihmuar për t’u bërë trajner i Kombëtares shqiptare?
– Unë besoj se po. Kam jetuar me shumë kultura dhe metodologji. Brazil, Spanjë, kam kaluar tre vjet në Premier Ligë, 5 vjet duke punuar në Itali dhe pikërisht në atë vend kam ndjekur kurset e mia të trajnerit. Me fjalë të tjera, ekziston një përzierje e madhe e njohurive. Idetë e mia, të stafit teknik ishte një ndihmë tjetër. Kemi Pablo Zabaletën, Dorivën, që kanë punuar në klubet më të mëdha në Evropë.