AlbanianSport.com 23/01/2024 18:25
ASNN – “Gjetëm një Federatë shumë të strukturuar e me kushte të mira për të punuar”, Silvinjo: Në Evropian do të testojmë forcën tonë. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvio Mendesh Kampos Zhúnjor ka zhvilluar një intervistë mjaft interesante për median portugeze “ZeroZero” duke u rrëfyer për gjithçka, rrugëtimi i tij me ekipin kuqezi, jeta në Tiranë, puna me stafin dhe lojtarët, kushtet e ofruara nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe mendimin e tij për dy futbollistët shqiptarë që luajnë në Portugali, Adrian Bajrami dhe Enea Mihaj.
Trajneri i Kombëtares kuqezi, evidentoi zhvillimin e FSHF-së dhe punën e madhe kërkimore që bëhet për gjetjen e talenteve të reja, ndërsa komentoi edhe shanset e Shqipërisë në Evropian. Më tej, ai tha se Shqipëria duhet të mësohet të luaj në Kampionatin Evropian, ndërsa shtoi se në të ardhmen do të synohet edhe kualifikimi në Botëror. AlbanianSport.com jua sjell këtë intervistë në 4 pjesë dhe kjo është pjesa e parë e saj.
– Një vit pasi u zyrtarizua te Shqipëria, Silvinjo viziton sërish “zerozero”-n. Në mes të kësaj rastësie, cili është bilanci i punës tuaj si trajner i Shqipërisë?
– Është kënaqësi të jem këtu dhe jam befasuar nga kjo rastësi. Viti me Shqipërinë ishte shumë intensiv, përrallor dhe është fantastike që jam këtu duke folur me ju dhe duke e festuar këtë.
– Si lindi mundësia për të drejtuar Kombëtaren shqiptare?
– Ftesa ka ardhur nga një person shumë i afërt me Presidentin e Federatës. Unë jetoja në Porto dhe isha i ftuar në një darkë në Milano. Presidenti i FSHF, Armand Duka ishte në Itali për çështje biznesi dhe patëm mundësinë të bisedonim pak për tema të ndryshme. Kishte një kimi të mirë, një harmoni mes synimeve të Federatës dhe asaj që mendonim se do të jepnim. Jo shumë kohë më vonë, ftesa u zyrtarizua dhe ne e pranuam. I kërkuam Presidentit të jetonim në Tiranë dhe për të kjo ishte një surprizë e madhe. Asnjë nga paraardhësit e mi nuk e kishte bërë këtë. Unë dhe ndihmësit e mi donim të qëndronim atje.
– A të ka ndihmuar përvoja te Kombëtarja braziliane?
– Vetë Doriva, që është në ekipin tim teknik, më tha këtë: “Ke kaluar 3 vjet me Titen në përfaqësuese, ke shkuar në Botërorin 2018, përvoja jote është tashmë shumë e mirë”. E dija shumë mirë se çfarë duhej të bënim për ta kryer punën mirë. Një gjë është klubi, tjetër është Kombëtarja.
– Çfarë realiteti gjetët në Tiranë?
– Një Federatë shumë e evoluar, një godinë krejtësisht e re, më shumë se 100 punonjës, katër kate ekskluzive për punën tonë. Shkojmë në punë çdo ditë në nëntë të mëngjesit dhe largohemi në pesë pasdite. Arritëm në janar, ndeshja e parë ishte në mars kundër Polonisë dhe kishim një qendër stërvitore krejt të re, gati për të nisur. Kemi bërë shumë vizita te futbollistët, Presidenti ka qenë gjithmonë në ndihmë. Kishte një farë frike nga ana jonë, sepse ky kompleks stërvitor është pikërisht në qendër të Tiranës, por e vërteta është se nga tifozët, nga njerëzit, ka vetëm respekt. Kam gjetur një Federatë shumë të strukturuar.