AlbanianSport.com 08/01/2024 20:10
ASNN – De la Fuentesi, Daliçi e Spaleti kanë firmosur deri në 2026-ën, braziliani, deri më 2024-ën, Kështu, i vetmi që ende nuk e ka sqaruar të ardhmen e tij pas Evropianit, nga të 4 trajnerët e grupit B, është trajneri i Shqipërisë Silvinjo. Braziliani, që e mori zyrtarisht drejtimin e Kombëtares kuqezi më 2 janar të 2023-shit, ka një marrëveshje me Federatën Shqiptare të Futbollit që skadon më 31 korrik të 2024-ës dhe palët nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar zgjatjen e kontratës. Shorti u tregua i pamëshirshëm me Shqipërinë në fazën finale të Euro 2024-ës, duke i vendosur kuqezinjtë në fazën e grupeve në Gjermani përballë Spanjës, Kroacisë dhe Italisë.
Një short i vështirë ky, por përtej shortit, spikat edhe një fakt tjetër që ka të bëjë me trajnerët e këtyre 4 ekipeve përfaqësuese. Kështu, është mësuar se Spanja, duket se ka zgjidhur dilemat për të ardhmen e stolit të saj. Luis De La Fuente, do të vazhdojë të jetë trajneri i përfaqësueses iberike edhe përtej “EURO 2024”, më saktësisht deri në përfundimin e Botërorit 2026. Sipas mediave spanjolle, trajneri dhe federata kanë gjetur akordin dhe shumë shpejt do të formalizojnë marrëveshjen mes tyre. Pritet që firma në kontratën e re të bëhet publike me një ceremoni në muajin mars, para ndeshjeve miqësore që do të luajë Spanja.
Ndërkaq, një kontratë që zgjat deri pas mbylljes së Botërorit të 2026-ës, ka nënshkruar edhe trajneri i Kroacisë, Zllatko Daliç, i cili e mban këtë detyrë që nga 7 tetori i 2017-ës. E njëjta gjë vlen edhe për trajnerin e Italisë, Luçiano Spaleti, i cili mori drejtimin e të kaltërve më 1 shtator të 2023-shit dhe kontrata e tij skadon, sikundër edhe ajo e Daliçit, më 31 korrik të 2026-ës. Kjo nënkupton se i vetmi që ende nuk e ka sqaruar të ardhmen e tij pas Evropianit, është trajneri i Shqipërisë Silvinjo. Braziliani, që e mori zyrtarisht drejtimin e Kombëtares kuqezi më 2 janar të 2023-shit, ka një marrëveshje me Federatën Shqiptare të Futbollit që skadon më 31 korrik të 2024-ës.
Dhe palët nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar zgjatjen e kontratës. “Euro 2024”-ra po afron dhe padyshim çdo ekip që shkon drejt këtij turneu dëshiron që të jenë i qetë në çdo aspekt, sidomos sa i përket të ardhmes të atyre që kanë për detyrë të drejtojnë skuadrat gjatë turneut, trajnerëve. Megjithatë, as Silvinjo dhe as FSHF-ja nuk kanë nxituar të shprehin ende një qëndrim të qartë sa i përket rinovimit, duke synuar mbase ta bëjnë këtë pas Evropianit të Gjermanisë, aty ku rezultatet e arritura nga kuqezinjtë mund të vendosin shumëçka sa u përket negociatave.