AlbanianSport.com 11.10.2015 16:55
ASNN – Shqipëria ka mundësinë e fundit të shkojë direkt në finalet e Euro 2016. Kuqezinjtë do të luajnë sot në orën 18:00 ndaj Armenisë për të siguruar kualifikimin brenda 90 minutave që do të përmbyllnin një ëndërr që nisi 53 vite më parë. Danimarka, që e la Shqipërinë jashtë fazës finale të Kampionatit Evropian të 1964-s, tani shpreson që ta ndalë Armenia.
Danezët janë vetëm 1 pikë para. Por goli në Elbasan i favorizon nëse Kombëtarja kuqezi barazon sot në Jerevan dhe e arrin me pikë të barabarta. Ndaj Armenisë trajneri Xhovani De Biazi ka kërkuar të luhet me qetësi dhe të harrojnë humbjen me Serbinë. Ai tha në konferencën për shtyp se në Armeni do të festojnë kualifikimin dhe janë përgatitur për gjithçka për këtë takim.
Në këtë ndeshje Shqipëria luan si favorite, për më tepër sepse Armenia nuk ka më asnjë objektiv. Edhe trajneri armen, Sargis Hovsepjan tha në konferencën për shtyp se më shumë sesa rezultatin, ekipi i tij do të kërkojë futbollin e bukur. Shqipëria e ka fituar 2-1 ndeshjen e parë të eliminatoreve në “Elbasan Arena”. Armenia gjendet e fundit në grup, me 2 pikë, pasi ka vetëm 2 barazime 5 humbje.