AlbaniaSport.net 25.01.2015 11:15
ASNN – Pas seancës së vetme stërvitore, të zhvilluar të hënën dhe dy seancave stërvitore të zhvilluara të martën, Kombëtarja kuqezi ka vijuar të mërkurën programin me dy seanca stërvitore, ndërsa të enjten është planifikuar një seancë stërvitore paradite dhe një ndeshje testuese pasdite.
Aktualisht, i vetmi shqetësim për trajnerin Xhovani De Biazi, është mbrojtësi Mërgim Mavraj, i cili u dëmtua të martën pasdite dhe seancën e mbrëmjes e ndoqi si shikues. Megjithatë, burime pranë kampit kuqezi sqarojnë se ai do të jetë i gatshëm për takimin me Armeninë.
Ndërkaq, Policia e Elbasanit publikoi masat e marra për zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Armeni, takim që do të zhvillohet të dielën, në orën 18:00. Policia bëri me dije se do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri te sheshi “1 Maji”, shëtitorja nga Bashkia deri te Shkolla Pedagogjike dhe qarkullimi në sheshin para Pallatit të Sportit.
Policia ka theksuar se “hyrja e tifozëve në stadium do të bëhet 2 orë para zhvillimit të ndeshjes” dhe se “nuk do të lejohen në stadium fëmijët pa biletë dhe tifozët me sende të forta”. Në mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje do të jenë të angazhuar 320 efektivë policie, përfshirë edhe sektorin Kundër Krimit Ekonomik.
Ky i fundit do të punojë për parandalimin e shitjes së biletave në treg të zi, fenomen ky që vërehet zakonisht në prag të ndeshjeve të Kombëtares. Ndeshja Shqipëri-Armeni luhet të dielën, duke nisur nga 18:00 në Elbasan “Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.