AlbanianSport.com 19/10/2018 13:25
ASNN – Sulmuesit më efikasë në historinë e Kombëtares, Bogdani me më shumë gola, por vlonjatët kanë tregues më të mirë. Kombëtarja shqiptare e futbollit ka historinë e saj në prezantimet ndërkombëtare. Natyrisht, një vend i vogël dhe jo shumë i zhvilluar nuk mund të ketë një skuadër të madhe futbolli, megjithatë, kuqezinjtë kanë ditur ta prezantojnë vendin me dinjitet në rang ndërkombëtar.
Suksesi më i madh i arritur nga përfaqësuesja kuqezi është fitimi i Kupës Ballkanike më 1946-ën, ku Loro Boriçi me shokë shkruanin një pjesë të rëndësishme suksesi të kësaj skuadre. Më pas ekipi ka pasur luhatjet e tij, vështirësitë dhe arritjet, por kulmin zyrtar të arritjeve e pati me pjesëmarrjen në fazën finale të Kampionatit Evropian “Francë 2016”. Por, një nga problemet e skuadrës kuqezi në sezonin e fundit është sulmi.
Në 7 ndeshjet e fundit janë shënuar vetëm dy gola. Shqipëria nuk ka më një sulmues të madh për momentin. Sulmuesi që ka shënuar më shumë gola për Shqipërinë është Erjon Bogdani, me 18 gola të realizuar në 77 ndeshje. Në tërësi, sulmuesit më të mëdhenj të Kombëtares kanë një koeficient të vogël realizimi, më pak se 0.3 gola për ndeshje, dhe vetëm katër lojtarë e kanë kapërcyer këtë tregues.
Sa i përket efikasitetit, duhet thënë se spikasin tre sulmues. Qamil Teliti ka luajtur në vitet e pasluftës së dytë Botërore, por ka qenë mjaft efikas. Ka zhvilluar vetëm 13 ndeshje me ekipin përfaqësues dhe ka shënuar 6 gola. Pra një koeficient afro 0.5 gola për ndeshje, ose 1 gol në dy ndeshje. Ky është treguesi më i mirë i efikasitetit nga lojtarët e Kombëtares.
Golashënuesit më të mirë të Kombëtares kuqezi me 10 gola e lart janë:
- Erjon Bogdani 18 gola në 77 ndeshje
- Alban Bushi 14 gola në 67 ndeshje
- Ervin Skela 13 gola në 75 ndeshje
- Altin Rraklli 11 gola në 63 ndeshje
- Hamdi Salihi 11 gola në 50 ndeshje
- Armando Sadiku 11 gola në 32 ndeshje
- Sokol Kushta 10 gola në 30 ndeshje
- Igli Tare 10 gola në 68 ndeshje
Vijon nesër…