AlbanianSport.com 21/08/2021 19:10
ASNN – Shqipëria përballet me Hungarinë më 5 shtator 2021, në takimin që luhet duke nisur nga ora 18:00 në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dalë me njoftim për shitjen e biletave. Hëpërhë lejohet që stadiumi të mbushet në 30 % të kapacitetit të tij dhe mbetet të shihet se sa bileta do të dalin në treg.
Çmimet e biletave vazhdojnë të jenë të njëjta, duke nisur nga 1,000 lekë në tribunat pas porte, për të vijuar me bileta që kushtojnë deri në 15,000 në tribunën VIP. Biletat dalin nga nesër në shitje, në biletarinë pranë stadiumit “Selman Stërmasi” dhe në dyqanin e sportiv tek Stadiumi “Arena Kombëtare”. Gjithashtu biletat mund të blihen edhe online, kurse në Elbasan ato shiten prej 26 gushtit.
Shqipëria do të presë në datën 5 shtator 2021 Hungarinë në të parën e 3 sfidave eliminatore të Botërorit ‘’Katar 2022’’. Pak ditë më parë, FSHF-ja bëri me dije se ndeshja do të luhet në stadiumin ‘’Elbasan Arena’’ dhe jo në Stadiumin “Arena Kombëtare” për shkak se tek ky i fundit po vendoset tapeti i ri dhe nuk duan të nxitojnë me përgatitjet.
Por, një tjetër njoftim ka ardhur të dielën nga organizmi që qeveris futbollin në vend, ai mbi biletat e ndeshjes. Stadiumi do të presë 30% të kapacitetit ashtu siç e parashikon dhe ligji për masat për mbrojtjen nga “Covid”. Biletat mund të blihen pas datës 23 gusht 2021 në Tiranë, si dhe në Elbasan ndërsa çmimet variojnë nga 1,000 lekë deri në 15,000 lekë.