AlbanianSport.com 04.10.2015 17:55
ASNN – Përfaqësuesja serbe do të ketë mungesa në ndeshjen ndaj Shqipërisë, pasi janë të paktën 3 lojtarë të dëmtuar. Kështu, Serbia vjen me mungesa ndaj Shqipërisë, pasi do të ketë të paktën 3 lojtarë mangut në përballjen e 8 tetorit në Stadiumin “Elbasan Arena”. Nikola Kostiçi i Shtutgartit është njëri prej tyre, por trajneri Çurçiç nuk mund të llogarisë edhe të tjerë. I dëmtuar është Llazar Markoviçi, futbollisti që kaloi nga Liverpuli tek Fenerbahçe.
Markoviçi pati problemet në derbin e Stambollit ndaj Beshiktashit. Më herët ka dalë nga lista Nikola Maksimoviç, mbrojtës i Torinos, i cili ende nuk e ka marrë veten. Shqetësim më vete është forma e disa futbollistëve, sidomos e atyre të Çellsit në Premier Ligën Angleze. Branisllav Ivanoviç po luan shumë dobët prej javësh, dhe e njëjta gjë po ndodh me lojtarin tjetër, Nemanja Matiç.
Në humbjen ndaj Sauthemptonit, ai hyri si zëvendësues dhe u zëvendësua sërish vetëm për pak minuta nga trajneri Murinjo. Megjithatë, Serbia nuk vjen pa lajme të mira në Elbasan. Millosh Kosanoviç po luan shumë mirë për Meshelenin në Belgjikë, Urosh Spajiç vlerësohet si talent i madh i mbrojtjes tek Tuluza në Francë, ndërsa Nenad Tomoviç i Fiorentinës u përzgjodh në formacionin e javës në Ligën e Evropës.