AlbanianSport.com 13.06.2016 13:45
ASNN – Përfaqësuesja shqiptare e futbollit, ka vazhduar të hënën paradite me seancën stërvitore të radhës. Trajneri Xhovani De Biazi ka zhvilluar me futllistët një stërvitje të lehtë, argëtuese, ku nuk ka munguar edhe humori midis njëri-tjetrit. Pasdite do të zhvillohet seanca tjetër stërvitore si dhe konferenca për shtyp.
Kombëtarja shqiptare ka vazhduar përgatitjet anti-Francë, të hënën me stërvitjen e paradites, e cila ka nisur në orën 10:30. Në stadiumin e vogël “Iv Zhanu” në Përro Girek, futbollistët kanë zhvilluar seancën stërvitore të radhës. Trajneri De Biazi ka qenë në humor dhe nuk i ka kursyer batutat me lojtarët.
I angazhuar në stërvitje ka qenë edhe Lorik Cana, edhe pse të nuk do të luajë në Velodrom ndaj Francës, për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen me Zvicrën. Skuadra ka zhvilluar ushtrime të lehtë pa ngarkesë të lartë fizike. Ra në sy stërvitja e diferencuar e Ergys Kaçes.
Edhe pse nuk vjen asnjë lajm zyrtar nga stafi i Kombëtares për gjendjen shëndetësore të tij, nga pamjet dukej se futbollisti i PAOK-ut të Selanikut nuk kishte ndonjë gjë serioze. Futbollistët do të kryejnë seancën e dytë stërvitore pasdite, ndërsa në orën 17:30 do të zhvillohet konferenca për shtyp e radhës.
Të martën, skuadra përfaqësuese e Shqipërisë do të udhëtojë drejt Marsejës për t’u përgatitur për ndeshjen e së mërkurës ndaj Francës.