AlbanianSport.com 08/02/2024 22:55
ASNN – Rivalja e fundit e Shqipërisë në Grupin B2 të Ligës së Kombeve është Gjeorgjia, një rival që, për hir të së vërtetës ka njohur një rritje të ndjeshme në vitet e fundit nën drejtimin e ish-mbrojtësit të njohur francez, Vili Sanjol, i cili ka bërë emër në vitet ku luante tek Bajerni i Mynihut. Ai ka arritur të çojë Gjeorgjinë përsëri në “play-off” të Evropianit dhe tanimë synon që të sigurojë pjesëmarrjen në fazën finale të turneut kontinental.
Sikundër për Ukrainën, edhe për gjeorgjianët, vëmendja edhe pas shorti të sotëm ishte më shumë te “play-off”-i që e pret në muajin mars. “Disa vite më parë, ekipi përfaqësues i Gjeorgjisë luante në Ligën D dhe tani është një skuadër e Ligës B, gjë që tregon se futbolli gjeorgjian është në rrugën e duhur, – ka thënë Sanjoli. – Presim me padurim të ndeshemi me skuadra të mira. Do të jetë një grup i vështirë, por ne mësojmë nga ndeshje të tilla.”
“Ne duam që kjo të ndodhë shpejt, në mënyrë që sa më shpejt të bëhemi një skuadër edhe më e mirë”, ka shtuar trajneri që ishte në stolin e Gjeorgjisë edhe në barazimin 0-0 në miqësoren e luajtur në Stadiumin “Arena Kombëtare” në marsin e vitit 2022. “Para ndeshjeve të “play-off”-it në mars, është e rëndësishme që të takohemi me lojtarët e ekipit tonë përfaqësues, të flasim me ata dhe ndjekim ndeshjet e tyre”, – ka vijuar francezi.
“Është e rëndësishme të jemi në kontakt pasi e dimë se si ndihen aktualisht. Para sfidave të “play-off”-it do të kem mundësinë të shoh më shumë lojtarë, më shumë ndeshje. Ne duhet të tregojmë aftësitë tona sa më mirë të mundemi ndaj Luksemburgut”, – përfundoi trajneri i Gjeorgjisë, Vili Sanjol, duke folur pas shortit dhe duke bërë të qartë se fokus ishte tek “play-off”-i i marsit.