AlbanianSport.com 08.06.2016 10:40
ASNN – Frederik Veseli dhe Odise Roshi ishin lojtarët e parë të kombëtares që folën në Francë. Mesfushori i krahut është lojtari i dytë pas kapitenit Lorik Cana që gëzon më shumë minuta në kombëtare në epokën “De Biazi” dhe “sekreti” qëndron tek puna.
“Jam shumë i lumtur për këtë fakt dhe do vazhdoj të stërvitem fort që të kem edhe në të ardhmen një vend në formacion”, – ka thënë Roshi gjatë konferencës së mbrëmshme për shtyp.
Roshi e sheh veten si titullar në Evropian, por atij nuk i pëlqen që të bëjë parashikime. Për këtë arsye, kur pyetet se sa larg do të shkojë Shqipëria në Evropian, ai i bën jehonë fjalëve të trajnerit Biasin dhe thotë se do t’i marrin ndeshjet me radhë.
“Ne po punojmë shumë dhe kur do të hyjmë në fushë do të japim gjithçka për njëri-tjetrin dhe për fanellën, – ka thënë lojtari i Rijekës në Kroaci. – Nuk dua të bëj parashikime, por do t’i marrim ndeshjet me radhë.”
Përtej asaj që mendohet, humbja me Ukrainën nuk duket se ka ndikuar shumë në kampin kuqezi, pasi Roshi thotë se atmosfera është shumë e mirë dhe lojtarët janë në formë dhe në moral të lartë.
“Mendoj se me Ukrainën kemi bërë një ndeshje të mirë, por ishim të pafat kur pësuam golat. Po punojmë që të përmirësohemi dhe besoj se do të jemi gati për ndeshjen hapëse”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares.