AlbanianSport.com 07/11/2021 20:55
ASNN – Trajneri kuqezi përfshin 20-vjeçarin në grupin e lojtarëve, Shpresat thërrasin Qardakun. Kombëtarja kuqezi ka nisur të dielën grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve të fundit të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, asaj ndaj Anglisë dhe asaj ndaj Andorrës. Stafi teknik kuqezi ka mbërritur që këtë të diel në kampin stërvitor të Kombëtares në Durrës, ashtu sikundër kanë nisur të mbërrijnë edhe një pjesë të futbollistëve të ftuar nga trajneri Edoardo Reja.
Sipas një njoftimi të shpërndarë të dielën në mbrëmje nga Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) është bërë e diture se ka një ndryshim të fundit në listën e Kombëtares. Sulmuesi Ernest Muçi do të vihet në dispozicion të Kombëtares së të rriturve që nga dita e hënë për dy ndeshjet e Botërorit 2022. Lojtari i Legias së Varshavës ishte në listën e Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve kuqezi për ndeshjet eliminatore të Evropianit, ndaj Sllovenisë dhe Kosovës.
Por tashmë ai do të lërë skuadrën e drejtuar nga trajneri Alban Bushi dhe do të kalojë në urdhrat e trajnerit Reja. Në vendin e tij, tek Nën-21-vjeçarët kuqezi është thirrur Eridon Qardaku, futbollist i cili aktivizohet me Bylisin e që ka qenë edhe më parë pjesë e skuadrës së Shpresave kuqezi. Qardaku është vënë menjëherë në dispozicion të ekipit të Bushit, që ka nisur tashmë përgatitjet për ndeshjet e “EURO 2023”-shit ndaj Sllovenisë dhe Kosovës, që do të luhen përkatësisht më 12 dhe 16 nëntor 2021.