AlbanianSport.com 19/02/2021 20:55
ASNN – Lojtarët shqiptarë në Evropë janë në qendër të vëmendjes së trajnerit të Kombëtares kuqezi të futbollit, Edoardo Reja, i cili është përgjithësisht i kënaqur. “Kemi pasur disa lojtarë me probleme fizike, por edhe me “Covid-19”, të cilët po rikuperohen, – ka deklaruar ai në një intervistë për televizionin shqiptar, “Top Channel”. – Disa janë në moment të mirë, si Xhimshiti, i cili kur erdhi fillimisht në Bergamo të punonte me mua nuk ishte në këto nivele, ndërsa tani luan me një lehtësi të madhe, përballon të madh e të vogël, po tregon një rendiment të jashtëzakonshëm.”
“Kumbulla që luajti fillimisht kur kaloi te Roma, ndërsa tani po merr veten, – ka vijuar italiani i stolit kuqezi. – Ai ka luajtur me të gjitha ekipet e moshave te Verona dhe impakti ka qenë i fortë, të kalosh nga Verona, tek ekipi i Romës, ku edhe nëse bën ndonjë gabim të vogël menjëherë të kritikojnë. Por po e merr veten, sepse ka personalitet, cilësinë e ka, por duhet të presë pak. Duhet të mësohet të luajë me lojtarë të një niveli të caktuar dhe trajneri është ai që të thotë se çfarë duhet të bësh. Flas shpesh me të dhe është një lojtar që kaq kapacitetet për të shkuar më lart.”
“Dhe sigurisht jam i lumtur për Ismajlin, – ka theksuar 75-vjeçari. – Iu desh të priste disa muaj, por tani po aktivizohet dhe po luan mirë. Është një tjetër lojtar që ka cilësi dhe aftësi për të bëtë paraqitje të mira. Lojtarët e tjerë si Laçi dhe Bare po luajnë, Abrashi është rikthyer te Bazeli dhe po luan. Edhe shqiptarët që janë në klubet kroate po luajnë, ne po i monitorojmë dhe po paraqiten mirë. Po luan shumë mirë Doka, Cikalleshi dhe Manaj gjithashtu. Po luajnë thuajse të gjithë. Unë uroj që të vazhdojnë kështu, që kur të vijë marsi, ku kemi ndeshje të rëndësishme, t’i kemi në formë të mirë të gjithë.”
Ndërkaq, Reja ka folur edhe për situatën me Hysajn & Strakoshën. “Kam folur me Hysajn, më ka thënë që ndihet mirë, – ka pohuar ai. – Nuk ka rinovuar, por ka oferta nga jashtë, mund të shkojë të luajë në Spanjë. Edhe në Itali ka oferta ku duket se Roma ka treguar interes për të. Ai është 27 vjeç dhe nuk mendoj se ka probleme për të gjetur skuadër. E rëndësishme është që të luajë për të ruajtur kondicionin fizik. Strakosha ka disa probleme fizike, nuk është se s’po luan për ndonjë arsye tjetër. Ai ka probleme me gjurin, kam folur me të dhe ka qëndruar jashtë fushe për disa kohë.”
“Edhe kur erdhi herën e fundit në grumbullimin e Kombëtares, nuk bëri dot asnjë seancë stërvitore me ne për shkak të problemeve që ka prej disa kohësh, – ka sqaruar trajneri i Kombëtares kuqezi të futbollit, Edoardo Reja. – Ka luajtur gjithmonë i sforcuar dhe shpresoj që të rikuperohet sa më shpejt fizikisht, sepse është ende i ri, ka cilësi shumë të mira teknike dhe ka dhënë prova se çfarë është në gjendje të bëjë.”