AlbanianSport.com 08/02/2024 22:25
ASNN – Veprimtaria e dytë e përfaqësueseve të kontinentit evropian, Liga e Kombeve, ka hedhur të enjten në mbrëmje në kryeqytetin e Francës, Paris, shortin e fazës së grupeve për edicionin 2024-2025, që është edhe edicioni i 4-t i saj. Dhe Shqipëria, e cila ndodhet në nivelin e dytë, në Ligën B, ka njohur kundërshtaret e saj në grup, një grup që në fakt mund të quhet një grup evropianolindor.
Kështu, kuqezinjtë e trajnerit Silvinjo do të përballen në grupin e parë, B1, me Republikën Çeke, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, kundërshtarë pak a shumë të njohur për Shqipërinë. Një short që duket i hapur për çdo mundësi për skuadrat, siç ka pranuar edhe trajneri i Ukrainës, Serhij Rebrov. Ish-sulmuesi i njohur, i cili ka shënuar ndaj Shqipërisë në vitet e tij si futbollist në dy ndeshje të ndryshme në vitin 1997.
Golat e tij i kanë dhënë fitoret 1-0 Ukrainës në Eliminatoret e Botërorit 1998, por ai e ka pranuar se ka ndjekur ndeshje të Kombëtares së drejtuar nga Silvinjo dhe ka vlerësuar paraqitjet e saj. “Nuk prisja asgjë nga shorti i Ligës së Kombeve pasi tani jemi duke menduar për “play-off”-in për Euro 2024, – ka thënë ai, duke folur për mediat vendase. -Pas ndeshjeve të playoff-it, ne do të mbledhim informacione për të gjitha këto ekipe.”
“Tani, mendoj, duhet të përqendrohemi në përgatitjen për “provimet” e marsit, – ka vijuar Rebrovi. – Kam parë shumë Republikën Çeke dhe Shqipërinë, më pak Gjeorgjinë. Shqiptarët po tregojnë futboll solid, kanë fituar të drejtën për të luajtur në Euro. Jam i sigurt se do të ketë një luftë të ashpër në grupin tonë. Po, tani jemi të fokusuar në përgatitjen për “play-off”-in.
“Por unë mendoj se Liga e Kombeve është një turne i rëndësishëm. Të gjitha skuadrat kanë mundësinë të kalojnë në Euro përmes saj. Më parë janë zhvilluar takime miqësore, por tashmë secila skuadër ka ndeshje më të rëndësishme”, – ka përfunduar trajneri i Ukrainës, Serhij Rebrov.