AlbanianSport.com 29.01.2016 12:55
ASNN – Prezantohet fanella e re e Kombëtares, e personalizuar me shqiponjë në kraharor. Kështu, Kombëtarja kuqezi do të ketë për herë të parë një fanellë të personalizuar, që do ta veshë në finalet e Euro 2016.
Ajo është e kuqe dhe ka një shqiponjë në kraharor si shenjë dalluese, për të paraqitur sa më shumë identitetin kombëtar. Fanella është prodhuar nga kompania italiane “Macron”, që do të mbështesë përfaqësuesen për periudhën 2016-2021.
Ndonëse nuk është deklaruar zyrtarisht, është përfolur se vlera e kontratës është mbi 6 milionë euro. Për ta personalizuar akoma më shumë në fanellë do të shkruhet edhe fraza; “Ti Shqipëri më jep nder”, një mënyrë për të motivuar akoma më shumë lojtarët dhe tifozët.
Në këtë mënyrë kuqezinjtë do të shkojnë në Evropian me një imazh tjetër, tërësisht shqiptar. Në ceremoninë e prezantimit u paraqitën edhe fanella e dytë dhe tretë, respektivisht e zezë dhe bardhë. Ato do të përdoren edhe nga përfaqësuesja e femrave.