AlbanianSport.com 21.02.2017 15:15
ASNN – Marsi duket një muaj i ngjeshur për Kombëtaren shqiptare, e cila, 4 ditë pasi do të përballet në Palermo me Italinë, do të luajë një ndeshje miqësore me Bosnjë-Hercegovinën, në 28 mars 2017.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku theksohet se është arritur akordi me atë boshnjake për zhvillimin e kësaj sfide. Në komunikatën e saj, FSHF-ja ka bërë të ditur se ndeshja mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.
Ajo çfarë mbetet për t’u konfirmuar tashmë është vetëm ora e zhvillimit të kësaj ndeshjeje miqësore mes Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës së Edin Xhekos e Miralem Pjaniçit. Përpara kësaj sfide, më 24 mars, kuqezinjtë e trajnerit Xhovani De Biazi do të luajnë sfidën e rëndësishme me Italinë për eliminatoret e Botërorit 2018.