AlbanianSport.com 14/03/2019 15:40
ASNN – Panuçi zbardh listën, lë jashtë emra të spikatur dhe rikthen debatin e ftesave të pajustifikuara. Kristian Panuçi është një trajner i prirur të krijojë polemika, edhe atëherë kur polemikat nuk i duhen askujt dhe kur nuk ka vend për të pasur lëvizje të tilla. Mjaftoi ftesa e bërë publike sot për të kuptuar që Kristian Panuçi ose nuk i ka sytë në ballë, ose ka preferenca të çuditshme. Ka lënë jashtë listës një futbollist si Emanuele Ndoji që luan rregullisht me Breshian, madje i përzgjedhur ndër 20 lojtarët më të mirë të Serisë B në Itali.
Apo dhe të sprovuarin Ermir Lenjani që luan rregullisht në Zvicër me Sionin, duke futur në listë lojtarë të sapokthyer nga dëmtimi apo që nuk janë në formë. Padyshim, zgjedhja e tij do të komentohet gjatë dhe nëse skuadra nuk do të marrë maksimumin në dy ndeshjet e radhës, ka gjasa që Panuçi të “kryqëzohet” menjëherë. Në listën e publikuar në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, shihet që trajneri italian i Kombëtares ka kthyer disa lojtarë në përfaqësuese, ku surprizë është emri i Kristi Qoses, i cili luan në Sllovaki.
Por trajneri ka rikthyer në përfaqësuese edhe mbrojtësit Arlind Ajeti dhe Naser Aliji, forma e të cilëve ka dyshime për të qenë në Kombëtare në këtë fazë. Është ftuar Kristal Abazaj që ka muaj pa luajtur dhe vetëm pak kohë ka që aktivizohet në kampionatin kroat me Osijekun, ndërkohë që ka lënë jashtë futbollistë si Rei Manaj që ka pasur një edicion të mirë me Albaseten në ligën e dytë spanjolle. Apo është lënë jashtë Azdren Llullaku, i cili ka pasur një aktivizim serioz me Astrën në kampionatin rumun, por edhe Françesko Tahirajn që ka shkëlqyer në Slloveni dhe Kroaci.
Përfundimisht, duket që ka një qasje tjetër këtë herë ndaj lojtarëve që konsiderohen bërthamë e grupit, si Hysaj, Gjimshiti, Veseli, Basha, Abrashi, Memushaj, Balaj dhe Sadiku, ku shpresohet shumë që të arrihet maksimumi në duelet ndaj Turqisë dhe Andorrës që zhvillohen më 22 dhe 25 mars 2019.