AlbanianSport.com 18.02.2016 19:25
ASNN – Austria është miqësorja e parë e këtij viti për Kombëtaren dhe biletat kanë dalë në shitje prej disa ditësh, por Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar t’ia lehtësojë procedurat tifozëve kuqezinj.
Një biletë për sfidën e 26 marsit mund të rezervohet në faqen zyrtare në internet të organizmit që qeveris futbollin shqiptar. Një biletë për tifozët nga Shqipëria në tribunën e përcaktuar në stadiumin “Ernst Happel” të Vjenës kushton 24 euro.
Përfaqësuesja austriake është një rival i denjë, pasi në këto kualifikuese është renditur e para në grupin e saj eliminator. Austria renditet e dhjeta në klasifikimin botëror të FIFA-s.
Federata Shqiptare e Futbollit është në kërkim edhe të kundërshtarëve të tjerë, që Kombëtarja të jetë gati për finalet e Euro 2016.