AlbanianSport.com 06.04.2016 10:25
ASNN – Kombëtarja gjen edhe një tjetër kundërshtar për fazën përgatitore pak para nisjes së Evropianit dhe kuqezinjtë do të luajnë me Ukrainën, më 3 qershor në Bergamo, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.
Shqipëria është përballur edhe herë tjetër me Ukrainën, që është gjithashtu finaliste e Euro 2016-ës. Kombëtarja, e cila, më 23 maj do të nisë grumbullimin në Austri, ka parashikuar edhe një tjetër miqësore më 29 maj me Katarin.
Shqipëria është debutuese në finalet e Evropianit. Përfaqësuesja është pjesë e Grupit A ku janë Franca, Zvicra dhe Rumania. Kështu, Kombëtarja shqiptare ka siguruar edhe një tjetër miqësore në kuadër të përgatitjeve për Evropanin e kësaj vere në Francë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Xhovani De Biazi do të luajë më 3 qershor 2016 në Itali ndaj Ukrainës, në stadiumin e Bergamos, “Atleti Azzurri d’Italia”, duke nisur nga ora 20:30.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me homologët ukrainas për të zhvilluar një miqësore midis dy kombëtarëve në kuadër të përgatitjeve për fazën finale të Evropianit “Francë 2016””, – thuhet në deklaratën e FSHF-së.
Në tejë jepen edhe detajet e miqësores. Përpara miqësores më Ukrainën, më 29 maj, “kuqezinjtë” do të zhvillojnë miqësoren me Katarin e cila është zyrtarizuar prej kohësh nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndërkohë, më 5 qershor luhet edhe miqësorja e fundit e Kombëtares kuqezi ndaj Kanadasë.