AlbanianSport.com 21.02.2017 13:25
ASNN – Natyrisht, Kombëtarja kuqezi bën një lojë kryesisht mbrojtëse dhe trajneri Xhovani De Biazi interesohet vazhdimisht për të perfeksionuar këtë cilësi të lojës, në mënyrë që të marrë maksimumin në rezultate, por përballë Italisë kërkohet më shumë. Portieri Berisha mungon e me shumë gjasë do të luajë djaloshi i talentuar Thomas Strakosha, aktualisht titullar me Lacion. Në mbrojtje ka lojtarë cilësorë dhe që po luajnë rregullisht, të tillë si Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Ansi Agolli e Berat Gjimshiti.
Në sulm ka probleme sepse jo të gjithë janë në formë, por fakti që Armando Sadiku është kthyer tek golat dhe Bekim Balaj gëzon formë të mirë mund të jenë sinjale pozitive. Problemi duket këtë herë të jetë në mesfushë, sepse ka shumë lojtarë që konkurrojnë për të qenë titullar, por De Biazi po kërkon futbollistë që u përshtaten skemave të tij përballë një Italie që bën pak a shumë lojë të njëjtë me skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë.
De Biazi e di mirë që rëndësi të veçantë në këtë ndeshje do të ketë lojtari organizator, ai që bën diferencën në veprimet e tij lidhëse midis reparteve dhe që të ketë shpejtësi në qarkullim. Tre janë lojtarët që do të garojnë për këtë pozicion: Ledian Memushaj, Migjen Basha dhe Burim Kukeli. Ky i fundit ka qenë një preferencë e madhe e De Biazit në ndeshjet e shkuara, sepse është strikt i rregullt në disiplinën taktike dhe di të mbulojë disa pozicione në fushë.
Por Kukeli luan në ligën e dytë zvicerane dhe përballë Italisë kërkohen futbollistë që luajnë në elitë. Për këtë arsye Memushaj dhe Basha mund të jenë më të kuotuar për të mbuluar rolin e organizatorit në këtë repart. Basha luan me Barin, në Serinë B, dhe ka shumë klas, kurse Memushaj luan në Serinë A me Peskarën. Diferenca midis dy kampionateve është e ndjeshme dhe këtu mund të bëhet diferenca edhe sa i takon lojtarit që mund të luajë titullar në rolin e organizatorit.
Për këtë arsye vlonjati Ledian Memushaj mund të drejtojë kuqezinjtë në fushën e lojës. Memushaj luan rregullisht me Peskarën dhe është një nga lojtarët kryesorë të kësaj skuadre, një lider i vërtetë. Në ndeshjen e fundit ai bëri një paraqitje fantastike dhe Peskara fitoi thellë. Sikurse në çdo ndeshje,e dhe këtë herë Memushaj bëri një lojë fantastike dhe mori vlerësim cilësor. Duhet thënë se edhe kosovari Basha ka qenë vendimtar në disa ndeshje të Barit dhe ka marrë vlerësim cilësor në shtypin italian.
Mbetet të shihet se kë do të zgjedhë De Biazi të bëjë organizatorin në ndeshjen kundër Italisë, një ndeshje që pritet me mjaft interes nga tifozët kuqezi.