AlbanianSport.com 13/10/2018 17:10
ASNN – Kështu ka vepruar edhe në Skoci, para sfidës së shtatorit me vendësit, kështu ka zgjedhur të bëjë edhe me Izraelin në fushën e kësaj të fundit. Kjo sepse, për stërvitjen e fundit në prag të kësaj sfide, trajneri Kristian Panuçi ka zgjedhur tokën shqiptare.
Shqipëria ka kryer stërvitjen e fundit para sfidës së nesërme në Izrael dhe trajneri Kristian Panuçi, ka preferuar që edhe stërvitjen e fundit ta kryejë në tokën shqiptare, para se kuqezinjtë të niseshin, rreth orës 14:30, me një fluturim të posaçëm drejt Tel Avivit.
Seanca e fundit nuk i ka ngarkuar shumë lojtarët, dhe janë kryer disa ushtrime të lehta për ekipin. Portieri i Partizanit, Alban Hoxha, për shkak të disa problemve, ka lënë grumbullimin, dhe vendin e tij e ka zënë Elhan Kastrati i Shpresave, që po ashtu ka lënë grumbullimin me ekipin e Bushit.
Panuçi nuk ka dhënë shenja se i përket formacionit për sfidën e të dielës në Biir Shev, por duket i beson përvojës në sfidën e tretë në grup përballë Izraelit. Në një ndeshje për të mos u humbur, trajneri i kuqezinjve pritet të rreshtojë në fushë gardën e vjetër, me shpresën se përvoja e lojtarëve do të bëjë diferencën.
Sidoqoftë, risia pritet të mos mungojë në rreshtimin titullar përballë izraelitëve, me Myrto Uzunin, që pasi luajti në pjesën e dytë kundër Jordanisë, këtë herë pritet t’i besohet një fanellë titullari. Rreshtimi i trajnerit italian pritet të jetë 4-3-3, ndërsa konferenca e zakonshme për shtyp e trajnerit Kristian Panuçi dhe kapitenit Mërgim Mavraj, do të mbahet në orën 19:45 në stadiumin “Toto Turner”, ku dhe do të luhet takimi.