AlbanianSport.com 14.11.2016 17:55
ASNN – Ishte nga të paktët dhe të vetmit lojtarë kuqezinj që e patën thënë edhe publikisht se, për një vend is Shqipëria, ajo që u vërejt në ditët para, gjatë dhe pas ndeshjes me Izraelin ishin të tepruara. Por Mërgim Mavraj tani e ka thënë pa doreza atë që mendon. Se paniku i ekzagjeruar i krijuar për sigurinë në Shqipëri-Izrael ishte një faktor vendimtar, që e privoi Kombëtaren kuqezi nga një stadium i mbushur plot e përplot duke ndikuar te tifozët. Në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, qendërmbrojtësi i kombëtares kuqezi shprehet se tifozët u braktisën vetëm se “siguria e tjetit është në rrezik”.
Ja dhe postimi i plotë i Mavrajt në “Facebook”:
“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi janë bërë në dëm të së gjorës Shqipëri! Por a duhet thënë STOP? A duhet të abuzojnë të tjerët me mikpritjen tonë?
Një vend nuk e bën të madh numri i banorëve, por karakteri, zemra, dëshira e krenaria e atij popullit!
Ne kemi tradita, e këtë e tregon qartë historia e kombit tonë! Ne nuk duhet ti hedhim asnjëherë poshtë njerëzit tanë, tifozët tanë, gjakun tonë vetëm se “siguria” e tjetrit është në “rrezik”!
A kishte rrezik më të madhe ndaj nesh në Serbi?! A kishte poshtërim më të madh se përçarja e frika që futën tek tifozët tanë dy ditë më parë kundërshtarët?! Nuk besoj se ka ndonjë qe mendon se shkaktar i atij “boshlliku” që u krijua në stadium ishte shiu, por paniku i hapur kot së koti.
Futbolli duhet të japë mesazh paqeje, e jo të krijojë panik, stres e përçarje. Unë nuk e ndjej veten aspak mirë kur krijohen situata të tilla! Tifozët tanë e duan këtë vend, e duan këtë kombëtare e ndaj duhet ta shijojnë siç duhet, të paktën në shtëpinë e tyre! Tjerët, le ta “gjejnë” të keqen diku tjetër, jo tek Shqiptarët!”
Është ky postimi i Mavrajt ku mbrojtësi rreshtohet haptazi kundër masave të tepruara për ndeshjen në Stadiumin “Elbasan Arena”, ku mbi 2000 efektivë të forcave të policisë u angazhuan për sigurinë duke krijuar një klimë të pazakonte për një ndeshje futbolli.